Protestuesit rrethojnë godinën e Kuvendit, përplasen me policinë
Situata para Kuvendit të Shqipërisë është përshkallëzuar këtë të martë, ndërsa protesta e qytetarëve vijon paralelisht me zhvillimin e seancës plenare, e nisur në orën 10:00.
Protestuesit kanë bllokuar disa nga hyrjet kryesore të Parlamentit, duke krijuar një rrethim të plotë të godinës. Në hyrjen qendrore janë shënuar përplasje të vazhdueshme me forcat e policisë, të cilat kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën dhe për të hapur kalimin. Momente tensioni janë regjistruar edhe kur qytetarët kanë tentuar të depërtojnë brenda ambienteve të Kuvendit, duke sjellë shtyrje dhe përplasje fizike mes palëve.
Prej më shumë se dy orësh, dhjetëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë përpara Parlamentit, duke artikuluar kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, kjo kërkesë është e panegociueshme. Në të njëjtën kohë, protestuesit kanë drejtuar kritika edhe ndaj opozitës, duke e akuzuar atë për mungesë përfaqësimi.
Gjatë protestës janë regjistruar edhe incidente të tjera. Një automjet tip ‘Audi’, që dyshohet se i përket një deputeti, është goditur me vezë nga turma. Po ashtu, një prej anëtarëve të kabinetit qeveritar është përballur me reagimin e protestuesve në momentin që ka dalë nga godina e Kuvendit, mes thirrjeve dhe akuzave të drejtpërdrejta.
Një situatë e tensionuar është shënuar edhe me deputetin e Partisë Socialiste, Tërmet Peçi, i cili është ndjekur nga protestuesit sapo ka dalë nga seanca. Ai është përballur me thirrje të ashpra dhe akuza nga qytetarët, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj përfaqësimit politik.
Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar me slogane kundër Parlamentit dhe qeverisë, duke përdorur etiketime të forta si “turp” dhe “parlament analfabet”. Në një akt simbolik, në trotuarin pranë Kuvendit është shkruar edhe mesazhi “Parlament i krimit”.
Protestat në Tiranë kanë hyrë në ditën e 31-të radhazi, duke reflektuar një klimë të tensionuar politike dhe sociale. Qytetarët shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen nga protesta deri në realizimin e kërkesës së tyre për largimin e kryeministrit dhe të qeverisë aktuale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



