Provat e përfshirjes së Veliajt tek afera gjigande e inceneratorit të Tiranës
Erion Veliaj është një nga aktorët kryesor të përfshirë në aferën e inceneratorëve. Këtë tregojnë vendimet që ai ka firmosur me nxitim dikur me qëllim përfitimi dhe të dhënat nga dosja e SPAK. Së pari përmendim që vetë kryebashkiaku i Tiranës propozoi këtë aferë gjigande. Në janar të vitit 2016 Veliaj i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP.
Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështet idenë në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë.
“…kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave për këtë nismë, e cila do të sigurojë një shërbim cilësor dhe sipas standardeve europiane për qytetarët dhe mjedisin në Tiranë,” thuhet në shkresën e kryebashkiakut Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj ka mohuar publikisht në të shkuarën se ka pasur rol aktiv në procedurat e koncesionit të mbetjeve në Tiranë, por dokumentet hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Vendimi më poshtë tregon se ai jo vetëm që e ka propozuar por edhe e ka firmosur vazhdimin e kësaj afere.

Kur kanë kaluar më shumë se 6 vjet nga ajo firmë e kryebashkiakut të Tiranës, dhe më në fund SPAK bëri hapa konkret ka vendosur nën sekuestro kompaninë koncesionare “Integrated Energy bv”, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorim Detyre” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Hetimi ka nisur në vitin 2020. Pas një sërë zvarritjesh, SPAK-u më në fund arriti në një veprim konkret, megjithëse është ende shumë larg për të zbuluar këtë vjedhje të madhe ku përveç qeveritarëve janë të përfshirë edhe dy biznesmenët, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Dosja e SPAK tregon se Ministria e Mjedisit, nëpërmjet një shkrese të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i asaj kohe, Alqi Bllako, i drejtohet kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i kërkuar dakordësinë për projektin.

Veliaj, pa thërritur Këshillin Bashkiak jep dakordësinë e tij shoqëruar me një tabelë ku paraqiteshin detyrimet e bashkisë Tiranë për këtë projekt.
Kjo firmë e Veliaj, në kundërshtim me ligjin, i dha mundësi projektit të impiantit të mbetjeve në Tiranë që të financohej jo nga Buxheti i Shtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në mënyrë indirekte, nga Buxheti i Shtetit përmes Transfertave të Pakushtëzuara drejtuara Bashkisë Tiranë.
Prej të paktën 5 vitesh, Bashkia e Tiranës paguan tarifën 29 euro për ton mbeturina të depozituar në landfillin privat të “Integrated Energy bv” në Sharrë.

Kjo tarifë përfshin procesin e depozitimit, ndarjes dhe incenerimit të mbetjeve urbane. Më së paku njëri prej këtyre shërbimeve-ai i incenerimit- nuk kryhet. Kjo, për faktin e thjeshtë se në landfillin e Sharrës nuk është ndërtuar impianti i përpunimit të mbetjeve urbane. Megjithatë, Bashkia e Tiranës vijon të paguajë tarifën e plotë prej 29 euro/ton mbeturina. Dhe këto para janë derdhur me firmën e Veliajt.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



