Prurjet në veri rriten, rreziku i përmbytjeve afrohet në Shkodër dhe Lezhë
Pamjet e sotme në Durrës dhe Tiranë tregojnë qartë se reshjet e dendura kanë kaluar prej kohësh pragun e një situate normale dimërore.
Rrugë të mbuluara nga uji, banesa të përmbytura, automjete të bllokuara dhe familje të evakuuara janë kthyer në imazhin e përditshëm të disa zonave urbane. Ndërsa qendrat e mëdha po përballen me pasojat, vëmendja tashmë është zhvendosur drejt veriut të vendit, ku rreziku i përmbytjeve po rritet ndjeshëm.
Në Shkodër dhe Lezhë, autoritetet ndjekin me shqetësim rritjen e prurjeve ujore, veçanërisht në basenin e Drinit. Reshjet intensive në zonat malore kanë shtuar ndjeshëm sasinë e ujit që derdhet në hidrocentralet e kaskadës, duke vënë në provë kapacitetet menaxhuese dhe sistemet mbrojtëse.
Pikërisht për këtë situatë ka reaguar edhe Edi Rama, i cili ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku njofton nisjen e shkarkimeve të kontrolluara në Kaskadën e Drinit. Sipas tij, si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej rreth 700 metra kub ujë në sekondë, përveç prodhimit normal të energjisë.
Rama thekson se këto shkarkime po kryhen në mënyrë të monitoruar dhe të menaxhuar nga specialistët e hidrocentraleve, ndërsa Bashkia Shkodër ndodhet në koordinim të vazhdueshëm me KESH për të minimizuar çdo rrezik të mundshëm për zonat e banuara. Sipas deklarimeve zyrtare, deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë serioze në territorin e bashkisë.
Megjithatë, përvoja e viteve të kaluara e bën situatën delikate. Rritja e prurjeve në Drin ka qenë historikisht një sinjal alarmi për fushën e Nënshkodrës dhe zonat përreth Lezhës, ku çdo shkarkim, sado i kontrolluar, shoqërohet me frikën e përmbytjeve masive.
Ndërsa në jug dhe qendër vendi përmbytjet tashmë janë realitet, në veri ato duken si një skenar që po afrohet. Banorët e zonave të rrezikuara ndjekin me ankth nivelin e ujit dhe njoftimet zyrtare, ndërsa institucionet përpiqen të ruajnë ekuilibrin mes sigurisë, prodhimit energjetik dhe parandalimit të një emergjence më të madhe.
Në një vend ku reshjet e shiut shpesh zbulojnë plagë të vjetra infrastrukturore dhe mungesë planifikimi afatgjatë, ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për Shkodrën dhe Lezhën. Pyetja që mbetet pezull është nëse shkarkimet e kontrolluara do të mjaftojnë për ta mbajtur ujin brenda kufijve, apo nëse veriu do t’i shtohet hartës së përmbytjeve që tashmë ka mbuluar Durrësin dhe Tiranën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



