PS e hap fushatën me daulle dhe valle
Priten fjalime nga drejtuesit e 12 qarqeve dhe kryeministri Rama
Nën moton ‘Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS’, socialistët çelin zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit në sheshin Skënderbej.
Fillimisht, fushata u hap nga qarku i Dibrës të cilët kërcyen valle në mes të sheshit. Ndërkohë, drejtuesi socialist për Dibrën, Blendi Klosi mbajti një fjalim të shkurtër ku nuk munguan lavdet për Ramën.
“PS fiton zgjedhjet sepse ju ka të gjithëve ju me vete, drejtohet nga Rama vizionar që shndërroi Shqipërinë dhe e ka sjellë më pranë BE. Ne nga qarku Dibër erdhëm këtu me valle, siç pritëm Ramën kur inauguroi rrugën e Arbrit. Ne jemi një parti e madhe kemi kaluar shumë sfida por sfidën më të madhe kemi mirëqënien e qytetarëve. Besojmë te kjo forcë politike, besojmë në fitore. Do të jemi pjesë e BE brenda këtij mandati ndaj të votojmë Dibra e gjithë Shqipëria Edi Ramën dhe PS”, u shpreh Klosi.
Më pas, ishte qarku i Fierit të cilët ‘surprizuan’ me një këngë ku kërcyen e kënduan në mes të sheshit “Skënderbej”. Ishte Belinda Balluku ajo që mbajti fjalën si drejtuese e qarkut Fier. As Balluku nuk i kurseu lavdet për Ramën, ndërsa tha se me Edin në krye asgjë nuk mund të na ndalë.
“Mirë se erdhët në sheshin më të madh të Shqipërisë në ditën e festës së PS. Do ta nis me djemtë këtu që bën një këngë popullore që njeh gjithë Fierin, më pas si të gjithë shqiptarët që kishin një ëndërr largohen nga vendi për të bërë jetën e tyre diku tjetër. Këta janë miqtë e mi të Free MC që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë votuar kurrë deri më sot. Free MC voton për PS ashtu sic do votojë gjithë Shqipëria, Fier dhe çdo shqiptar. Nuk ka mç bukur kur mblidhemi të gjithë bashkë dhe kjo energji shkon në themel të Shqipërisë për ta çuar këtë vend përpara siç vetëm Rama di. Kërkojmë një mandat të katërt që duket si shumë, por ky është mandati i shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë njëherë e mirë në Evropë për ta bërë vendin pjesë të BE. Shqiptarët që janë më europianë se kushdo tjetër dhe tashmë është koha që t’i bashkohen asaj tryeze. Fieri ka një objektiv, 10 mandate deputetësh për t’i ulur në parlamentin shqiptar. Ndërkohë priten, 11 mandate nga ne. Nëse ne jemi të gjithë bashkë për Shqipërinë, me Ramën në krye nuk ka asgjë që na ndal”, tha Balluku.
Në mes të skenës janë vendosur edhe 12 yje të cilët përfaqësojnë edhe 12 qarqet e vendit, në secilin prej tyre do të qëndrojë drejtuesit i qarkut së bashkë me kandidatët për deputetë të PS.
Folësit në këtë fushatë është menduar që të jetë vetëm një fjalë nga drejtuesit politik të qarqeve që do të prezantojnë edhe kandidatët, ndërkohë do të kulmojë edhe me fjalën e kryeministrit Rama. Fokusi i tij do të jetë mbi simbolikën e socialistëve në këtë fushatë me ‘Shqipërinë 2030 vetëm me Edin dhe PS’ që është edhe slogani i fushatës së tij.
Kujtojmë se një ditë më parë, Rama organizoi një takim me gratë socialiste në Teatrin e Operas dhe Baletit, një aktivitet që zgjati mbi dy orë.
Gjatë fjalimit të tij, ai vuri në pah rolin thelbësor të grave në strukturën e Partisë Socialiste dhe në rezultatin elektoral, duke u shprehur se vota e tyre do të jetë vendimtare.
Ai gjithashtu deklaroi se beson fort që në të ardhmen Shqipëria do të ketë një kryeministre grua – dhe sipas tij, ajo do të vijë nga radhët e socialistëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



