E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Edi Rama e bëri të rëndësishme Shqipërinë në krye të Këshillit të Sigurimit?
Lajme

Pse Edi Rama e bëri të rëndësishme Shqipërinë në krye të Këshillit të Sigurimit?

Mero Baze

Kryeministri Edi Rama u bë yll i shtypit ndërkombëtar brenda disa minutash, për shkak të polemikave me ambasadorin rus në OKB, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit .

Edhe pse ndërhyrjet e Edi Ramës ishin në kufijtë e etikës diplomatike që ka tradita zyrtare e Këshillit të Sigurimit, ato i dhanë nerv një prej mbledhjes më të rëndësishme të atij institucioni dhe e bën Shqipërinë më të rëndësishme si kryesuese e këshillit të Sigurimit për disa arsye.

E para kishte të bënte me pozicionin e qartë të Shqipërisë pro Ukrainës në konfliktin me Rusinë dhe batutat e hidhura të Ramës pro pranisë së presidentit Zelenski në sallën e Këshillit të Sigurimit. Duke mbrojtur praninë e Zelenskit në sallë dhe të drejtën për t’iu adresuar Këshillit të Sigurimit si viktimë e një agresioni të paprovokuar, Shqipëria afishon vetën në krahun e së drejtës ndërkombëtare dhe si zë i Perëndimit rreth këtij konflikti.

Ambasadorja e SHBA në Këshill e cila pasoi qëndrimin e Edi Ramës e bënte më të dukshme aleancën e Shqipërisë me SHBA dhe vendet perëndimore rreth kësaj çështje, në sytë e gjithë botës. Dhe kjo është një ngjarje e madhe për imazhin e një vend të vogël, njohja për të cilin në pjesën tjetër të botës përveç Evropës , ndoshta është e papërfillshme.

E dyta ka të bëjë pak dhe me fatin e shqiptarëve, pasi përveç Shqipërisë që drejton Këshillin e Sigurimit, në një periudhë që është dhe Sesioni i Asamblesë parlamentare të OKB, dhe ku aty janë gjithë liderët e botës, edhe OSBE përfaqësohej në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, nga një politikan shqiptar, Bujar Osmani si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Ishte kjo arsyeja që ambasadori rus, pas pranisë së Zelenskit kishte bezdi praninë e shtuar të shqiptarëve në mbledhje, duke protestuar ndaj pranisë së Bujar Osmanit.

Ironia e Edi Ramës se ky “nuk është një Operacion special i presidencës shqiptare” kundër Rusisë, jo vetëm që i dha fund polemikave me ambasadorin rus, por e bëri atë krye lajm të mbledhjes, duke i kujtuar Rusisë gënjeshtrën me të cilën nisi luftën në Ukraine.

Së fundmi, Edi Rama gjeti rastin të mbrojë historinë e çlirimit të Kosovës nga Perëndimi, duke hedhur poshtë krahasimet me të drejtën e Rusisë për të pushtuar Ukrainën, duke theksuar se liria e Kosovës nuk mund të shërbejë si një arsye për të rrëmbyer territore dhe për të shkaktuar vuajtje dhe shkatërrim për popullin e Ukrainës

Pra nëse pati një meritë Edi Rama si kryesues i Këshillit të Sigurimit, ishte aftësia e tij personale, për ta bërë Shqipërinë të rëndësishme në temën që diskutohej, duke përdorur herë aftësinë e tij për polemika, e herë kombinimin e problemeve shqiptare me konfliktin ndërkombëtar.

Dhe mbi të gjitha duke na afishuar një vend Perëndimor në sytë e gjithë botës drejtuar tek Salla e Këshillit të Sigurimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.