Pse ndryshimet e reja të ligjeve shkelin privatësinë
Një grup organizatash të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim në lidhje me ndryshimet e reja të propozuara për Policinë e Shtetit.
Këto ndryshime u japin kompetencë strukturave të Policisë të kryejnë vëzhgime dhe përgjime ambientale pa një urdhër prokurori. Ndërsa më tej parashikohet krijimi i një Komiteti me drejtimin e ministrit të Brendshëm dhe pjesëmarrjen e kreut të SPAK dhe Prokurorit të Përgjithshëm, gjë që shihet nga organizatat si shkelje e pavarësisë së pushteteve.
Ndryshimet e propozuara në ligjin për Policinë e Shtetit dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe rrezikojnë të drejtën për privatësi”, shprehen në një deklaratë të përbashkët 22 organizata, publikuar nga Komiteti i Helsinkit.
Në këtë deklaratë, argumentohet ndër të tjera se në një rast të ngjashëm, Gjykata e të Drejtave të Njeriut kishte penalizuar Hungarinë për dhënien e kompetencave për përgjime të një Task-Force të Policisë. “Gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) vlerësoi se aktivitetet e gjera të përgjimit sekret që ishin kryer nga Task-Forca Hungareze Antiterror kishin shkelur të drejtat e aplikantëve. Task-Forca Hungareze u krijua nën ombrellën e strukturave të policisë, bazuar në legjislacionin antiterror të vitit 2011.
GJEDNJ konstatoi shkelje të Konventës Europiane e në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, pasi Hungaria nuk kishte garantuar mbikëqyrje apo kontroll gjyqësor mbi veprimet përgjuese të Task-Forcës, si dhe nuk kishte garantuar masa të tjera mbrojtëse të sakta dhe efektive”, shkruajnë organizatat, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Strasburgut.
KOMITETI
“Me shqetësim vërejmë se projektligji i propozuar, ashtu sikurse më herët edhe akti normativ me fuqinë e ligjit i miratuar në datën 31 janar të këtij viti nga Këshilli i Ministrave, është hartuar pa transparencë dhe pa konsultim publik paraprak me përfaqësuesit e organizatave vendase të shoqërisë civile.
Organizatat e shoqërisë civile vërejnë se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për policinë e shtetit”, ashtu sikurse akti normativ përmban dispozita që ngrenë dyshime serioze për cenimin e parimeve të rëndësishme kushtetuese si parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Edhe pse koordinimi dhe bashkëpunimi midis institucioneve është i nevojshëm, në vlerësimin tonë, përbën shkelje të pavarësisë së Prokurorisë neni 2 i projektligjit (njësoj si neni 8 i aktit normativ).
Në këtë dispozitë, propozohet që organe të pavarura kushtetuese, sikurse është Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar.
Ky komitet, i organizuar në mënyrë kolegjiale do të kryesohet nga Ministri i Brendshëm (pjesë e ekzekutivit). Gjithashtu, kjo strukturë ka në përbërje funksionarë të ekzekutivit si Ministri i Drejtësisë, Ministri i Financave dhe Ekonomisë që emërohen dhe shkarkohen direkt nga Kryeministri, si dhe ka në përbërje gjithashtu drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Komiteti koordinues, krijon premisa për ndikim të papërshtatshëm nga ekzekutivi në ushtrimin e pavarur të funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Vlen të përmendim gjithashtu faktin se Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale ndaj veprave penale të kryera nga zyrtarët e nivelit të lartë, përfshi këtu edhe përfaqësuesit e ekzekutivit në këtë Komitet Koordinues (neni 148/dh i Kushtetutës)”, shkruhet në deklaratë.
PËRGJIMET DHE VËZHGIMET
“Neni 4 i projektligjit ndryshon nenin 131 të ligjit në fuqi për Policinë e Shtetit, ku parashikohet se gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale,
Policia përdor masat e parashikuara në shkronjat ‘a’ – Përgjimi ambiental, ‘b’ – Përdorimi i pajisjeve teknike për fotografim, filmim, video, ‘c’ – përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve dhe ‘ç’ mbikëqyrjen e fshehtë. Në ndryshim nga ligji në fuqi, për të zbatuar këto masa nuk kërkohet autorizim nga Prokurori. Ndërkohë që për masat e parashikuara në germat ‘a’, ‘b’ dhe ‘ç’, mund të zbatohen bazuar thjesht në miratimin nga titullarët e strukturave të Policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore. Parashikimet e nenit 131 të projektligjit dhe heqja e autorizimit të Prokurorisë për të dhënë këto masa, në vlerësimin tonë bien ndesh me nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale. Kodi i Procedurës Penale është ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, bazuar në nenin 81 pika 2 të Kushtetutës dhe dispozitat e tij kanë epërsi ndaj dispozitave të ligjeve që janë miratuar me shumicë të thjeshtë, sikurse është Ligji ‘Për Policinë e Shtetit’”, argumentojnë organizatat.
VENDIMI I GJYKATËS SË STRASBURGUT
“Lidhur me masat e propozuara në nenin 131, dëshirojmë të sjellim në vëmendje vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që ka penalizuar në një rast të ngjashëm Hungarinë (vendim i dt. 12 janar 2016, në çështjen Szabo dhe Vissy kundër Hungarisë). Në këtë çështje, Gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) vlerësoi se aktivitetet e gjera të përgjimit sekret që ishin kryer nga TaskForca Hungareze Antiterror kishin shkelur të drejtat e aplikantëve. Task-Forca Hungareze u krijua nën ombrellën e strukturave të Policisë, bazuar në legjislacionin antiterror të vitit 2011.
GJEDNJ konstatoi shkelje të Konventës Europiane e në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, pasi Hungaria nuk kishte garantuar mbikëqyrje apo kontroll gjyqësor mbi veprimet përgjuese të Task-Forcës si dhe nuk kishte garantuar masa të tjera mbrojtëse të sakta dhe efektive.
Në rastin e Shqipërisë, dispozitat e parashikuara përbëjnë akoma më shumë shkelje flagrante të Konventës Europiane (KEDNJ), pasi në ndryshim nga Hungaria, vendosja e masave të veçanta nga Policia e Shtetit por pa autorizim të Prokurorisë, nuk është kufizuar vetëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit, por është për çdo vepër penale”.
Gjykata rrëzoi krijimin e BKH nën drejtimin e ministrit
Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit si një strukturë e Policisë së Shtetit u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015, e bashkë me të dhe neni ku parashikohej ngritja e një Komiteti koordinues, të ngjashëm me atë të propozuar në ndryshimet e reja. Neni 35, i rrëzuar nga Kushtetuesja, parashikonte:
“Pranë ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, organizohet dhe funksionon Komiteti Kombëtar Koordinues për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në nivel ekspertësh. Ai kryesohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe ka në përbërje drejtues të drejtorive të ndryshime në Policinë e Shtetit”. Po sipas këtij neni, parashikohej edhe ftesa për të marrë pjesë edhe drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda në atë kohë. Kjo strukturë do të ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe do të kryente “veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të”.
Këto parashikime ligjore u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese në 17 prill 2015, që duke pranuar kërkesën e anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i konsideroi si të papajtueshme me Kushtetutën. “Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar, me vendimin e datës 17.04.2015, bazuar në nenet 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, Gjykata Kushtetuese, vendosi: Shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Kreut VI ‘Byroja Kombëtare e Hetimit’ (nenet 27-36) të ligjit nr. 108/2014, ‘Për Policinë e Shtetit’. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e nenit 49 të këtij ligji”, njoftonte Gjykata Kushtetuese 4 vite më parë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



