Pse nuk lexojmë më libra? Një alarm për të ardhmen e brezit të ri
Landi Çela
Në Shqipëri, është bërë më se e qartë se libri nuk gëzon më të njëjtën vlerë si dikur. Të gjithë kemi ritme të vrullshme jete, por secili prej nesh mund të gjejë 30 minuta kohë për të shfletuar një libër.
Megjithatë, këto minuta sot i zënë ekranet e telefonave, rrjetet sociale dhe thashethemet që qarkullojnë aty. Facebook, Instagram, WhatsApp, TikTok, dhe platforma të tjera i kanë shndërruar konsumatorët e informacionit në qenie që shpesh nuk shkojnë përtej sipërfaqes së gjërave, duke shmangur dijen e thellë që ofron leximi i një libri të vërtetë.
Teknologjia po tjetërson mënyrën si ne komunikojmë dhe mësojmë. Leximi online, sado të duket modern, nuk ofron të njëjtën përvojë si shfletimi i një libri në dorë.
Nuk ka asgjë që e krahasohet me ndjesinë e mbajtjes së një libri, me thithjen e aromës së tij, sidomos kur bëhet fjalë për kryeveprat botërore apo klasikët. Kjo përvojë po zhduket, dhe pasojat janë të dukshme. Një brez i tërë nuk di më të shkruajë shqip në mënyrë të saktë.
Situata është alarmante. Në universitete dhe shkolla, nxënësit dhe studentët shpesh paraqesin punime me gabime të rënda gjuhësore, të cilat dikur do të ishin konsideruar të turpshme. Fjalë të thjeshta si “diell” kthehen në “diedh,” një shembull i qartë i krizës që kemi përpara. Ky nuk është thjesht një problem teknik, por një simptomë e mungesës së aftësive bazike të të shprehurit dhe menduarit.
Madje, edhe në media dhe kuvend dëgjojmë gabime të tilla gjuhësore që shkaktojnë habi dhe zhgënjim. Gazetarë, politikanë dhe profesionistë të tjerë, të cilët priten të jenë shembuj të shprehjes korrekte, shpesh lëshojnë fraza të pasakta, duke reflektuar mungesën e thelluar të vëmendjes ndaj gjuhës shqipe.
Brezi i ri po rritet me mungesa serioze në aftësinë për të menduar dhe komunikuar në mënyrë logjike. Ata që dalin para publikut, si në shkollë, ashtu edhe në jetën e përditshme, shpesh mezi flasin me qartësi dhe siguri. Nuk është problemi tek karakteri i tyre introvert, sepse në shoqëri shpesh tregohen të zhurmshëm, por paaftësia e tyre për të formuluar mendime të qarta dhe t’i shprehin ato me saktësi dhe ndikim është tronditëse.
Dhe kjo paaftësi ka pasoja të rënda. Në një botë gjithnjë e më konkurruese, ku aftësitë e komunikimit janë thelbësore, nëse të rinjtë tanë nuk mund të flasin qartë në një intervistë pune, ata e humbin atë mundësi. Nuk mjafton vetëm të jesh i aftë profesionalisht; duhet të dish edhe të shprehësh idetë dhe njohuritë e tua me bindje dhe qartësi.
Rrjetet sociale, kafenetë dhe lojërat elektronike janë kënaqësi të përkohshme, por përballë sfidave të së ardhmes, këto janë dytësore. Investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë është te librat. Madje, shpesh na bën përshtypje kur shohim të huaj në kafenetë e Tiranës që bashkë me një filxhan kafeje shfletojnë një libër. Është një shembull që na tregon se leximi nuk është i vjetruar, por një formë e përjetshme për të pasuruar mendjen.
Është ende koha për të vepruar. Si qytetarë, kemi detyrën morale për të udhëhequr brezin e ri drejt leximit. Ne duhet të jemi shembulli, të tregojmë se libri nuk është thjesht një objekt i harruar në raft, por një mjet i fuqishëm për zhvillimin e intelektit dhe karakterit. Vetëm duke e kthyer librin në qendër të kulturës sonë, mund të shpresojmë për një të ardhme më të ndritur.
Nëse vazhdojmë të anashkalojmë leximin, do të vuajmë pasojat. Por nëse e rikthejmë, do të sigurojmë që brezat e ardhshëm të kenë një themel të fortë në dije dhe në vlerat që formësojnë një shoqëri të vërtetë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



