E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Rama sulmoi Idrizin dhe shënjestroi partinë e Dules në Sarandë?
Publik News

Pse Rama sulmoi Idrizin dhe shënjestroi partinë e Dules në Sarandë?

 Nuk është vetëm LSI-ja objekti i sulmit të mazhorancës në kuadrin e fushatës së 25 prillit. Përveç partisë së Kryemadhit, PS duket ka si strategji dhe komunitetet identitare apo grupeve të interesit që prej vitesh janë pjesë e aleancës me PD-në.

Bëhet fjalë për PBDNJ-në e Vangjel Dules dhe PDIU-në e Shpëtim Idrizit. Dhe këtë Edi Rama e bëri të qartë në “konferencën e shtypit” që zhvilloi para pak kohësh në Sarandë me njerëz nga komuniteti.

Në fjalën e tij, Rama ka thënë se marrëdhëniet me Athinën zyrtare janë në nivel shumë të lartë, edhe pse nga ana tjetër deklaroi se qëndrim i Tiranës ndaj Athinës ka qenë i prerë dhe “nuk ka ulur pantallonat” si qeveritarët e dikurshëm.

Foli për dhënien e dokumenteve të pronësisë për qytetarët me kombësi greke, çka ka qenë një kërkesë e fortë dhe e herëpashershme e Athinës, si dhe për pajisjen me dokumente pronësie për Kishën Ortodokse por edhe për kultet e tjera fetare.

Ndërkaq, nga ana tjetër u ka bërë thirrje komunitetit çam se ka qenë PS që ka mbrojtur interesat kombëtare, duke sulmuar fort Shpëtim Idrizin.

Që Rama e ka cilësuar “Shpë-tymi i Doganës”. Ky adresim i qartë në fakt është një logjikë precize e PS-së si manovër kirurgjikale zgjedhore. Dhe kjo shikohet jo vetëm në Sarandë, po kudo ku në PS kanë hyrë struktura të PDIU-së që janë larguar nga Idrizi, si në Peqin, ku Aqif Rakipi tashmë është me PS-në, apo në Vlorë kur ish-deputeti Dashamir Tahiri është larguar nga PD-ja.

Por më shumë sesa vota e PDIU-së, PS-së i intereson vota e minoritetit grek, ku jo më kot po investon fuqishëm. Kjo si në Sarandë që është e rëndësishëm, por më shumë është në Gjirokastër, votë që mund të shkojë deri në 15 mijë votues. Të cilën prej disa vitesh e ka menaxhuar me sukses duhet thënë deputeti i LSI-së Vangjel Tavo. Ndaj dhe LSI-ja ka qenë e fortë në Gjirokastër.

Në këto zgjedhje, Gjirokastra por edhe pjesa e minoritetit grek në Sarandë, e natyrisht zona e bregut do të jenë një “gjah” mes PS-së e LSI-së. E nga kjo luftë, Vangjel Dule, do të dëmtohej shumë, ndaj është zhvendosur në Korçë me shpresë se merr votat e zonës së Sinicës, Boboshticës etj, që dikur kanë qenë elektorat i Ligoraq Karamelos, ish-numri 2 i PBDNJ-së.

Një sulm i shënjestruar i Ramës, që synon të ndajë aleatët komunitarë të PD-së, krerët e partive të të cilëve kanë arritur të sigurojnë një vend në listat e sigurta, por që nuk kanë mbajtur kompaktësinë e forcave të tyre politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.