E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Sali Berisha u kujtua për Pëllumb Salillarin tani?
Lajme

Pse Sali Berisha u kujtua për Pëllumb Salillarin tani?

 

Denoncimi i fundit i Sali Berishës kundër oligarkut Pëllumb Salillari ka ngritur më shumë pikëpyetje sesa ka dhënë përgjigje. Pas shumë vitesh heshtjeje, Berisha papritmas i rikthehet një teme që ka qenë prej kohësh në qendër të kritikave nga media dhe shoqëria civile: ndërtimet pa leje, krimet mjedisore dhe tenderat korruptivë të këtij oligarku. Por pse tani?

Salillari nuk është një emër i ri në listën e oligarkëve që kanë përfituar qindra milionë euro nga tenderat publikë, shpesh përmes praktikave korruptive. Vetëm gjatë dekadës së fundit, kompania e tij ka marrë mbi 200 milionë euro kontrata nga buxheti i shtetit, ndërsa akuzat për falsifikim dokumentesh, punime të pakryera dhe ndërtimet pa leje kanë qenë një refren i vazhdueshëm. Megjithatë, Berisha e ka shmangur për vite me radhë këtë temë, duke heshtur për të gjithë abuzimet dhe shkeljet flagrante që tani denoncon me zë të lartë.

Heshtja e gjatë dhe shpërthimi i vonuar

Pse Berisha e ka mbajtur gojën mbyllur deri më sot për veprimtarinë e Pëllumb Salillarit? A ka ndonjë lidhje kjo heshtje me marrëdhëniet e ngushta të oligarkut me aktorë të rëndësishëm të politikës, përfshirë ndoshta edhe vetë rrethin e tij familjar? Në rrjet ka nisur të përflitet se arsyeja e këtij “shpërthimi” është një mosmarrëveshje mes Salillarit dhe Shkëlzen Berishës, djalit të Saliut. A është mosplotësimi i kërkesave të Shkëlzenit arsyeja pse Berisha e sulmoi tani?

Kjo nuk është hera e parë që Berisha përdor “qytetarin dixhital” për të amplifikuar mesazhe politike apo për të vënë presion mbi emra të caktuar. Por denoncimi ndaj Salillarit vjen në një moment kur besueshmëria e tij dhe e partisë që ai drejton është në rënie të lirë.

Një oligark i paprekshëm

Përtej denoncimit, fakti mbetet se Pëllumb Salillari është një prej përfituesve më të mëdhenj të sistemit të kalbur që sundon Shqipërinë. Në vend që të ndëshkohet për ndërtimet pa leje, grabitjen e pronave publike dhe krimet mjedisore, ai vijon të marrë tendera publikë dhe të mbështetet nga institucionet shtetërore.

Rasti i fundit me ndërtimet pa leje pranë Kopshtit Zoologjik është vetëm një shembull i pasojave të kësaj paprekshmërie. Pallate që rrezikojnë shembjen, banorë që mbeten të pambrojtur dhe një sistem drejtësie që mbyll sytë ndaj veprimeve të tij. Prokuroria dhe institucionet përkatëse kanë bërë gjithçka për të mbrojtur Salillarin, duke ndëshkuar vetëm administratorët e kompanisë, ndërsa ai vetë mbetet i paprekshëm.

Një pyetje që pret përgjigje

Nëse Sali Berisha pretendon se është i sinqertë në këtë denoncim, duhet të sqarojë: Pse heshti për kaq shumë vite? Pse nuk ka thënë asnjë fjalë për emra të tjerë si Bashkim Ulaj apo Rrok Gjoka? Dhe mbi të gjitha, a do të vazhdojë të heshtë për Salillarin në të ardhmen, pasi, siç ndodh shpesh, “lëvizjet në prapaskenë” mund të kenë nisur tashmë?

Në Shqipëri, oligarkët si Salillari nuk janë vetëm produkt i një qeverie të korruptuar, por edhe i një klase politike që ndërton dhe mbron sistemin që i ushqen. Berisha, Rama, dhe çdo tjetër që mban pushtet, janë bashkëfajtorë për këtë sistem. Në këtë histori, viktimat janë qytetarët, ndërsa oligarkët vazhdojnë të jenë mbretër të pandëshkueshëm në një republikë të kapur nga korrupsioni.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.