Punonjësit e Policisë të detyruar të shpenzojnë kartën ushqimore vetëm në supermarketet SPAR
Shuma prej 70 mijë lekësh të vjetra, ose siç quhet karta e posaçme e ushqimit, që iu jepet punonjësve të Policisë, do të shpenzohet pranë tyre në supermarketet SPAR. Pas urdhrit të firmosur nga Sokol Bizhga, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i caktuar në detyrë, që parashikon që punonjësve të policisë t’u shpërndahet shuma e parave për muajin dhjetor 2023, ndërsa nga janari deri në gusht 2024 t’u kalojë në llogarinë e kartës së posaçme të ushqimit, efektivët kanë marrë edhe udhëzimet përkatëse për blerjen e ushqimeve.
Policët duhet ta shpenzojnë shumën e parave vetëm për ushqime dhe jo për alkool, duhan, detergjent dhe produkte materiale. Fondet e kompensimit financohen dhe përdoren vetëm nëpërmjet POS ose online në rrjetin e supermarketeve SPAR. Pra çdo punonjës policie mund t’i drejtohet 88 marketeve SPAR për të shpenzuar fondin për ushqimin. Ligji i ri për Policinë e Shtetit parashikoi dhënien e një fondi të kompensimit ushqimor për punonjësit e policisë, që tashmë po zbatohet.
Nuk dihet si e ka vendosur Sokol Bizhga pse këto para të buxhetit të shtetit duhet të shpenzohen vetëm në SPAR. Rrjeti i supermarketeve është në pronësi të biznesmenit Samir Mane. Sikurse dhe Tirana Bank, ku uniformat blu drejtohen çdo muaj për të tërhequr pagën, janë në pronësi të Manes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



