E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Që nga përplasjet me Sorekën dhe reagimet që sollën deklaratat me ambasadën franceze për vaksiën
Publik News

Që nga përplasjet me Sorekën dhe reagimet që sollën deklaratat me ambasadën franceze për vaksiën

Që nga fundi i vitit 2020 deklaratat e kreut të qeverisë kundër BE-së dhe vendeve anëtare janë intensifikuar. Por ndërkohë nuk kanë munguar edhe reagimet.

Në fundjavë Ambasada franceze reagoi pasi Kryeministri Rama e mori shembull shtetin francez në një emision televiziv për të ilustruar sjelljen e vendeve të BE-së, që sipas kreut të qeverisë në Shqipëri, mbajnë vaksinat stok dhe nuk i shpërndajnë për vendet e Ballkanit Perëndimor, që duke qenë më të brishtë financiarisht, kanë hasur vështirësi në sigurimin e dozave të para.

Përmes një letre dërguar në Ministrinë e Jashtme, selia diplomatike e Francës në vendin tonë i konsideron të papërshtatshme akuzat e Kryeministrit ndaj një vendi aleat. Ndërkohë, deklaratat e Kryeministrit i konsideron të pavërteta. Nga ana tjetër, edhe Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj reagimit të ambasadës franceze, por jo në mënyrë zyrtare. Përmes një komenti në rrjetet sociale duke ndërvepruar me ndjekësit, Kryeministri thotë se deklaratat e tij janë keqinterpretuar, ndërsa ai nuk u heq asnjë presje atyre që ka thënë.

Nga ana tjetër, kryetari i opozitës e personifikon Kryeministrin Rama me sanitaren që i mori 8 milionë lekë të vjetër një pacienti me Covid, duke e mashtruar dhe e akuzon kreun e qeverisë se e ka kthyer vendin të pabesueshëm për vendet e perëndimit. Sulmet verbale të kreut të qeverisë ndaj vendeve të BE-së nisën në fund të vitit që shkoi dhe u përforcuan në Turqi kur Kryeministri ishte në një vizitë zyrtare në krah të Erdogan.

AMBASADA FRANCEZE

“Mbrëmë në një transmetim televiziv, Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, akuzoi qartë vendet anëtare të Bashkimit Europian për egoizëm dhe cinizëm. Kjo ambasadë kujton se çdo vit BE-ja është donatori më i madh në Shqipëri me më shumë se 100 milionë euro në sektorë të ndryshëm. Lidhur me pandeminë, Komisioni Europian njoftoi më 8 janar se portofoli global i BEsë prej 2.3 miliardë dozash nuk ishte vetëm për BE-në por edhe për vendet fqinje.

Financimi u sigurua për vendet e Ballkanit Perëndimor me 70 milionë euro nga programi IPA. Ndërsa Franca do të arrijë qëllimin e saj për një milion njerëz të vaksinuar në fund të janarit, Kryeministri ngriti pyetjen se pse Franca duhet të ketë një stok vaksinash që nuk mund t’i përdorë, në vend që t‘i ndajë me të tjerët. Përveç natyrës së pavërtetë të këtij informacioni, por që mund të jetë shumë i ndjeshëm për mendjet e njerëzve, kjo Ambasadë konsideron se nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominative një vend mik dhe aleat”.

RAMA I KUNDËRPËRGJIGJET AMBASADËS (duke komentuar me ndjekësit e tij në rrjete sociale)

“Viggo Tirona, unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qysh se vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për njëmijë e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet. Unë kam folur për një çështje konkrete në një situate konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk u heq asnjë presje atyre që kam thënë!

Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covid-it nga ana e BEsë nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton! Ndërsa ankesa e Ambasadës franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos u jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE-së!

Franca është jo vetëm një nga vendet më të mrekullueshme të botës e më të përparuara të Europës në çdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçantë në zemrën e në mendjen time, ashtu sikundër është edhe BE-ja një amanet e një destinacion i patjetërsueshëm i Shqipërisë e shqiptarëve. Ankesa e Ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën, edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë.

Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e Ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi Ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje! Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as Ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, çfarë nuk dëgjoj po nuk mërzitem”.

LULZIM BASHA

“E turpshme që ‘Tirja’ i qeverisë sulmon BE-në dhe vendet anëtare për dështimet e tij. Nuk është faji i BE-së që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë. Nuk është faji i BE-së që ‘Tirja’ i qeverisë u ka dhënë qytetarëve ndihmën më të ulët nga çdo vend tjetër. Nuk është faji i BE-së që ‘Tirja’ i qeverisë i braktisi shqiptarët në kohën e tërmetit, pandemisë dhe krizës ekonomike. Nuk është faji i BE-së që Rama është një dështim në çdo gjë. Sulmet ndaj BE-së dhe vendeve anëtare nuk e mbulojnë dot dështimin e tij. Ne i jemi përjetë mirënjohës BE-së për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në momente të vështira për vendin. 25 prilli do të jetë ditë e ndarjes nga e keqja dhe e orientimit europian të Shqipërisë”.

PETRIT VASILI

Është shumë e qartë për të gjithë ju, shqiptarët që jetojnë këtu, por dhe gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, që Edi Rama nuk e do dhe është orientuar qartë e mirëpërcaktuar kundër integrimit europian të Shqipërisë dhe anëtarësimit në BE. Të gjitha veprimet e tij dhe e gjithë retorika e tij i shërbejnë vetëm kësaj strategjie. Njëherazi dhe mashtrimi sistematik, pse jo demonizimi i BEsë, ka pasur një qëllim akoma më të lig: për të krijuar një ndjenjë armiqësore të shqiptarëve ndaj BE-së.

Është shumë e qartë se kjo strategji e Edi Ramës është një alibi e mirëfilltë për të justifikuar veprimet e tij antieuropiane dhe orientimin e tij drejt realiteteve të tjera që nuk janë europiane e që nuk mbartin për hiçgjë asnjë nga vlerat shumë të rëndësishme të të gjithë Europës. Sigurisht që integrimi europian për Shqipërinë dhe shqiptarët do të thotë qartë demokraci e konsoliduar, do të thotë konsolidim dhe sundim i shtetit të së drejtës, konkurrencë e ndershme, ekonomi e dekriminalizuar, do të thotë bllokim të pastrimit të parave, do të thotë transparencë të plotë të të gjitha veprimeve, liri të medias, zëri dhe syri i qytetarëve të jetë mbi qeverisjen. Një raport të maxhorancës së qeverisë dhe opozitës që kontrollon, por të gjitha këto vlera janë pikërisht e kundërta e asaj që Edi Rama bën dhe asaj që Edi Rama kërkon.

EDI RAMA SULMON BE

“Solidariteti i Turqisë mike dhe zotit Erdogan nuk ka qenë vetëm një solidaritet i shprehur kur kemi pasur vetëm ne problem. Por edhe në rastet kur Turqia, njësoj si ne, njësoj si e gjithë bota, u godit nga koronavirusi. Turqia dhe Presidenti i saj i qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë, që njësoj siç u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, i mbyllën në shtëpi dhe shtetet e tyre duke ndaluar deri dhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë. Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne, siç është shumë domethënës dhe fakti që edhe sot një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunimi i afërt”.

AMBASADORI I BE, LUIGI SORECA

Më duhet ta pranoj se u habitëm nga deklarata e dhënë nga Kryeministri në fillim të vitit, veçanërisht pasi solidariteti i Bashkimit Europian nuk ka qenë kurrë aq i dukshëm sa në vitin 2020. Pas disa ditësh kemi përvjetorin e parë të Konferencës së Donatorëve në Bruksel, pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, kur Bashkimi Europian mblodhi aq shumë aktorë për të vënë në dispozicion të Shqipërisë më shumë se 1 miliard euro dhe menjëherë 115 milionë euro nga Komisioni Europian, që tani, pas një viti, po japin rezultate konkrete në terren, në fushat e kulturës dhe arsimit. Më pas vjen ndihma e Bashkimit Europian gjatë pandemisë së Covid-19.

Të gjithë e kanë parë sasinë e pajisjeve mjekësore. Unë vetë kam bërë shtatë dhurime pajisjesh, që u kanë mundësuar shqiptarëve ta përballojnë këtë periudhë. Pastaj, Plani Ekonomik dhe i Investimeve, me 9 miliardë euro për tri vitet e ardhshme. Në çastin kur nisi vaksinimi, ndryshe nga partnerët e tjerë, Bashkimi Europian nuk e mbylli derën për ndihmën me vaksinimin, përkundrazi, vuri menjëherë në dispozicion 70 milionë euro që janë të disponueshme për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, që do të marrë një sasi të rëndësishme të kësaj kuote, për t’u siguruar që shtetet tona anëtare që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund t’i përdornin këto para për t’ia dhuruar apo rishitur vaksinën Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.