Qeveria mashtroi – Letra e plotë e KE: Është pezulluar gjithë IPARD II dhe është ngrirë IPARD III

Në artikullin e tij, gazetari Klodian Tomorri raporton se Bashkimi Europian ka pezulluar pagesat për grantet e bujqësisë në Shqipëri pasi u evidentuan shkelje dhe korrupsion në zbatimin e fondeve të programit IPARD II. Në përgjigje, qeveria tentoi të minimizonte rëndësinë e ngjarjes, por letrat e Komisionit Europian dëshmojnë ndryshe.
Letra e KE tregon se ka zbuluar mangësi serioze në sistemin e kontrollit të brendshëm për zbatimin dhe kontrollin e fondeve të IPARD II. Disa projekte të financuara me këto fonde u gjetën me parregullsi dhe shkelje, si krijimi artificial i kushteve për përfituar grante më të larta, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal dhe oferta false.
Komisioni Europian ka ndërprerë afatet e pagesave për IPARD II dhe ka ngrirë të gjitha këstet e këtij programi, ndërsa ka bërë një paralajmërim të fortë për qeverinë se nëse kushtet e nenit 40 të Marrëveshjes Kornizë nuk plotësohen, edhe pagesat për programin IPARD III mund të pezullohen.
Artikullis përmend gjithashtu që mediat afër qeverisë kanë tentuar të paraqesin situatën ndryshe, letra e plotë e Komisionit Europian rrëzin pretendimet e qeverisë dhe sjell informacionin e detajuar mbi situatën e pezullimit të fondeve për bujqësinë në Shqipëri.

Letra
Që në fillim të letrës, Komisioni Europian informon qeverinë shqiptare se informacioni paraprak i OLAF tregon mangësi serioze në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm për zbatimin dhe kontrollin e fondeve të IPARD II në Shqipëri, të cilat nuk kanë lejuar parandalimin, zbulimin dhe korrigjimin e mashtrimeve dhe parregullsive serioze.
“Olaf ka evidentuar parregullsi dhe mangësi serioze në dhënien dhe zbatimin e projekteve të IPARD II në Shqipëri” thuhet në letren që mban firmën e drejtorit të DG AGRI, Ëolfgang BURTSCHER.
Më poshtë letra vë në dijeni autoritetet shqiptare se cilat janë këto parregullsi.
“Disa projekte të financuara në kuadër të programit IPARD II u gjetën me parregullsi si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false, etj” thuhet në letër.
Sipas Komisionit. AZHBR ka dështuar të ushtrojë kontrollin e duhur për të identifikuar këto parregullsi.
“Për këto arsye dhe si masë parandaluese për të mbrojtur buxhetin e Bashkimit Europian, ju informojmë se Komisioni po ndërpret afatin e pagesës për deklarimin e shpenzimeve për tremujorin e parë të vitit 2023, në shumën 457 mijë euro,” informon letra.
Por kjo është vetëm pasoja më e vogël në letrën tronditës. Një tjetër pasojë shumë më e rëndë vjen në paragrafin pasardhës të letrës.
“Përveç kësaj, afati i pagesës në lidhje me deklaratat e mëvonshme të shpenzimeve të programit IPARD II do të ndërpritet për të njëjtat arsye” shkruan Komisioni.
Në rrezik IPARD III
Komisioni Europian thotë se ndërprerja e pagesave do të përfundojë menjeherë sapo Komisioni të vendosë, në bazë të elementeve që do të sigurohen nga autoritetet shqiptare, se janë marrë masat e nevojshme për të korrigjuar situatën.
Por në të njëjtën kohë Komisioni i bën një parlajmërim të fortë qeverisë.
“Ju lutemi mbani parasysh se në rast se plotësohen kushtet e nenit 40 të Marrëveshjes Kornizë, Komisioni Evropian gjithashtu mund të vendosë në një fazë të mëvonshme të pezullojë pagesat për Programin IPARD II,” thuhet në letër.
Drejtori i DG AGRI informon se është duke pritur informacione shtesë nga OLAF dhe sapo ato të arrijnë do të njoftojë qeverinë shqiptare.
“DG AGRI do të marrë parasysh informacionin e mësipërm në procedurën në vazhdim për besimin e detyrave të zbatimit të buxhetit për programin IPARD III në Shqipëri. Në kushtet aktuale, kjo procedurë do të pezullohet për të gjitha masat në kuadër të programit IPARD III,” përfundon letra.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



