Qeveria Rama, ngelëse në arsim
Naim Noka
Arsimi është shtylla kurrizore e çdo shoqërie të zhvilluar. Përmes tij, një vend mund të përballojë sfida të mëdha si varfëria, papunësia dhe zhvillimi teknologjik. Vendet e suksesshme në zhvillim, si Koreja e Jugut dhe Estonia, janë shembuj të qartë se si investimi në kapitalin njerëzor përmes arsimit ka prodhuar një ekonomi të fuqishme dhe një shoqëri të përparuar. Fatkeqësisht, Shqipëria nën qeverinë e Edi Ramës ka mbetur në vendnumëro. Jo më kot po ju kujtojmë ermrat dhe fotot e ministreshave të arsimit në 12 vite: Lindita, Besa, Evisi dhe Ogerta….
Në pesë vitet e fundit, investimi në arsim është ulur në mënyrë dramatike, duke rënë nga 3.3% në 2.9% të PBB-së. Kjo është larg mesatares së Bashkimit Europian, që kalon 5%, dhe është një tregues i qartë se qeveria shqiptare nuk e konsideron arsimin prioritet. Politikat e gabuara dhe mungesa e investimeve të duhura po prodhojnë një gjeneratë që po humb aftësitë bazë.
Raporti PISA, një vlerësim ndërkombëtar i performancës së nxënësve, është një dritare që na tregon ku jemi si vend në aspektin e arsimit. Shqipëria, në këtë test, ka shënuar rënien më të madhe historike. Nxënësit tanë po dështojnë në matematikë dhe lexim, dy fusha kritike për zhvillimin intelektual. Kjo rënie është një dështim i pastër i politikave arsimore të qeverisë Rama.
Shqipëria gjithashtu ka dështuar të bëjë përparim të ndjeshëm drejt arritjes së objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030, me arsimin si një ndër sektorët që ka pësuar përkeqësim të dukshëm. Rënia e nivelit arsimor nuk është thjesht një problem i brendshëm, por një sfidë që ndikon të ardhmen e të gjithë vendit. Një shoqëri e paarsimuar është një shoqëri e pafuqishme për të përballuar sfidat e globalizimit dhe përparimit teknologjik.
Çështja e emigracionit të lartë është një tjetër element shqetësues. Prindërit shqiptarë po zgjedhin gjithnjë e më shumë të largohen jashtë vendit për të siguruar një arsim më të mirë për fëmijët e tyre. Numri i nxënësve në shkollat shqiptare është ulur me 30% që nga viti 2011. Emigracioni dhe plakja e popullsisë janë pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi arsimor që nuk ofron as shpresë dhe as cilësi.
Ndërkohë, niveli i mësuesve të rinj është në rënie për shkak të pagave të ulëta dhe mungesës së motivimit. Universitetet po pranë degë të tilla si letërsia me mesatare pranimi 6, ndërsa degët e matematikës dhe fizikës janë në prag të mbylljes. Çfarë mesazhi i jep kjo brezit të ri? Arsimi nuk është një prioritet për qeverinë e tyre.
Në një vend që aspiron për zhvillim dhe përparim, arsimi duhet të jetë në qendër të vëmendjes. Qeveria Rama, përkundrazi, duket se e ka lënë arsimin në një qoshe të errët, duke u përqendruar më shumë në projekte të marketingut politik sesa në ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor. Për të gjithë këtë, qeveria meriton një notë të qartë: 4!
Nëse Shqipëria do të bëjë përpara, arsimi duhet të trajtohet si një prioritet absolut. Pa një brez të arsimuar, vendi nuk ka të ardhme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



