Qiriazët dhe Kongresi i Manastirit
Nismën për thirrjen e kongresit kombëtar për vendosjen e një alfabeti të vetëm e mori klubi shqiptar “Bashkimi” i Manastirit i cili kishte rol parësor midis klubeve shqiptare. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve, dhe të organeve kombëtare.
Ndër familjet kryesore që kontribuan në këtë kongres të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë (14 – 22 nëntor 1908) ishte dhe familja Qiriazi.
Sevasti Qiriazi, (1871-1949). Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe, personaliteti dhe vepra arsimore-pedagogjike e Sevasti Qiriazit, zë vend të nderuar. Ajo ishte mësuese, pedagoge dhe organizatore e edukimit dhe arsimimit të femrave, veprimtare e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë. Pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit dhe të Elbasanit e të dy motrave Parashqevi e Sevasti Qiriazi, vinte si rrjedhojë e autoritetit të lartë që gëzonte shkolla e tyre. Deri në atë kohë, në asnjë veprimtari politike e kulturore, mbledhje a kongres kombëtar nuk kishte marrë pjesë asnjë grua. Sevastia dhe Parashqevia e përfaqësuan më së miri shkollën e tyre në këto forume të rëndësishme kombëtare, duke çuar përvojën e shkollës, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë pedagogjik.
Parashqevi Qiriazi, (1880-1970). Në vitin 1908, mori pjesë aktive në Kongresin e Manastirit. Më 1909, Prashqevia botoi në shtypshkronjën “Bashkimi i kombit”, “Abetare për shkolat e para”, duke zënë vend në historinë e shkollës shqiptare si e para grua autore tekstesh shkollore. Në shkrimet e saj shfaqi pikëpamjet e saj demokratike dhe mbështeti arsimin fillor falas, të shtrirë edhe në fshatra, për organizimin e shkollave të mbrëmjes dhe të universitetit popullor. Ajo ushtroi gjithashtu, nevojën e organizimit të institucioneve kulturore në Shqipëri, si ngritjen e bibliotekave në qytete, themelimin e një shtëpie botuese etj. Që një nga themelueset kryesore të shoqërisë së grave “Yll’i Mëngjezit” (Korçë, 1909). Në mërgim, me bashkëpunimin e së motrës Sevasti Qiriazit, përgatiti e revistën “Ylli i Mëngjezit” (1917). Do të merrte pjesë gjithashtu në Konferencën e Paqes (Paris, mars 1919) si përfaqësuese e shqiptarëve të mërguar në Amerikë. Do të kthehej në Shqipëri në vitin 1921, dhe do të merrej më çështjet arsimore e kulturore. Pas Luftës së Dytë Botërore, botoi kujtimet nga veprimtaria e saj patriotike.
Gjergj Qiriazi (1865-1912). Në nëntor 1908 ishte nënkryetar i Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt për të vendosur mbi alfabetin përfundimtarë shqiptar. Ishte një ndër themeluesit e gazetës së përjavshme “Bashkimi i Kombit” në Manastir (1909-1910).
Për mbledhjet me dyer të mbyllura që bëri Komisioni i të Njëmbëdhjetëve në Kongresin e Manastirit kemi relacionin e datës 20 janar1909 të shkruar nga Gjergj Qiriazi, një nga njëmbëdhjetë anëtarët e komisionit. Nga të dhënat del qartë se në mbledhjet e tij me dyer të mbyllura diskutimet kanë qenë të gjalla në mbrojtje të njërës apo të tjetrës zgjidhje. Diskutimet ishin duke qenë se në atë komision bënin pjesë anëtarë, që ishin për alfabetin e Stambollit si dhe anëtarë, që mbronin alfabetin e “Bashkimit”dhe atë të “Agimit”. Sipas relacionit të Gjergj Qiriazit, anëtarët e Komisionit, diskutuan gjerë e gjatë mbi tre çështje: E para, të adaptohet njëri nga tri alfabetet kryesore, dmth alfabeti i Stambollit, alfabeti i “Bashkimit”apo ai i “Agimit”? E dyta, të bëhet një konbinim i këtyre tri alfabeteve? E treta, të lihen mënjanë të tria këto alfabete dhe të krijohet një alfabet krejt i ri?
Sipas relacionit të Gjergj Qiriazit “Përse u zgjodhën dy alfabete’’ thuhet: “Telegramët që morëm nga Gegëria, na kërkonin që të pranonim alfabetin e “Bashkimit” kurse telegramet nga Toskëria na kërkonin që të merrnim atë të Stambollit ose të Frashërit, me disa ndryshime sipas nevojave të gjuhës”. Përsa i takon alfabetit thjesht latin, që Komisioni vendosi si alfabet të dytë pë shkrimin e shqipes qysh në fillim është përhapur mendimi se ai në thelb ishte alfabeti i “Bashkimit”e kështu e cilëson edhe Gjergj Qiriazi në relacionin e tij “Përse u zgjodhën dy alfabete”. Në vendimin e komisionit thuhej që të dy alfabetët do të përdoreshin “bashkarisht në mest të shqyptarëvet” dhe shtohej: “Mësimi ndër shkolla do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja”.Vendimi i komisionit të alfabetit u shpall në mbledhjen e hapur të Kongresit më 20 nëntor 1908, duke shënuar një gurë themeli të rëndësishëm në kulturën shqiptare në prag të vitete të cilat do të sillnin pavarësinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



