Prej gjysmë ore është pezulluar puna në pikën kufitare Kapshticë, pasi është plotësuar kuota ditore, ku sipas rregullit të ri do të kalojnë 300 persona në ditë.
Edhe pse është pezulluar puna nga pala greke, të moshuar, fëmijë, gra dhe burra shqiptarë, vijojnë të qëndrojnë në pikën kufitare, ku shprehen të revoltuar nga ky rregull.
Ata kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë dhe se do të qëndrojnë aty derisa të lejohen të kalojnë, pasi nuk ishin lajmëruar për rregullat e reja.
“Erdha për pushime dhe pushime s’bëra dot. M’i prishën pushimet. Nuk ishim informuar për rregullat e reja. Kam që në 8 këtu. S’na thanë asgjë për sot për shifra 300 vetë. Nuk largohemi. Për 10 ditë fillojnë shkollat, kur do të shkojmë ne në Greqi. Kemi fëmijët në makinë. Të marrë masa qeveria që të na lërë të kalojmë”, tha një qytetar, ndërsa një tjetër shtoi se ka ardhur në vendin tonë prej mallit. “Ça bën shteti. Kam udhëtuar drejt Shqipërisë prej mallit. Ku është Edi Rama. Jo nuk tërhiqem nga ketu derisa te kaloj…”, tha ajo.




