Rama dhe Veliaj i dhanë leje Malltezit dhe Bektashit të ndërtojnë 72 vila “ABA” në Farkë

Prej disa ditësh në mediat e “Rilindjes”, po reklamohet përfundimi i ndërtimit të kompleksit rezidencial “ABA” në Farkë pranë Liqenit të Tiranës dhe shitja e tyre, me këst fillestar 60 mijë Euro që është 15% e vlerës, ndërsa pjesa tjetër me kredi garantore nga kompania.

Kompania që ka investuar, ndërtuar e po shet vilat te kompleksi “ABA” në Farkë, është “Kontakt Sh.p.k”, e njohur për shqiptarët dhe drejtësinë, si kompania e ortakërisë mes Jamarbër Malltezit e Fatmir Bektashit, që kanë grabitur truallin te kompleksi “Partizani” dhe kanë ndërtuar kullat.

Këto dy ortakë ndërtues, SPAK i ka marrë të pandehur me këto masa penale: Jamarbër Malltezi, fillimisht me masën “Arrest në burg” e tani në “Arrest shtëpie e detyrim paraqitje”, ndërsa Fatmir Bektashi me masën “Detyrim paraqitje”.

Deri tani, SPAK ka sekuestruar 45% të kompanisë “Homeplan sh.p.k”; 100% të kompanisë “Magnet IMO sh.p.k” dhe 60% të kompanisë “Magnet Gym and Fit Sh.p.k” në pronësi të Jamarbër Malltezit, kompani të cilat janë ortake në disa komplekse banimi me vila e pallate.

Por nuk ka sekuestruar 55% të pjesës së Fatmir Bektashit te “Homeplan sh.p.k”, megjithëse këta e kanë bërë krimin bashkë me të njëjtat kompani ndërtimi; ndërsa ortakun Fatmir Bektashi nuk e kanë arrestuar, me mashtrimin sikur ka kaluar moshën 70 vjeç, kur ai është 66 vjeç.

Një nga këto komplekse që kanë ndërtuar dhe po shesin të pandehurit Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi, është kompleksi “ABA” në Farkë pranë Liqenit të Tiranës, me 72 vila 3 kat.

Padrejtësisht, duke fshehur të vërtetën, SPAK e ka trajtuar kompaninë “Kontakt” si pronësi 100% të Fatmir Bektashit e gjoja pa lidhje me kullat te ish-kompleksi “Partizani”, kur sipas Ekstraktit Tregtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo është 50% në pronësi të Jamarbër Malltezit, nëpërmjet kompanisë së tij “Magnet IMO sh.p.k” dhe 50% në pronësi të Fatmir Bektashit.

SPAK merret me citate; të pandehurit Malltezi e Bektashi

Kjo kompani, Malltezi-Bektashi, që SPAK nuk e ka sekuestruar, përveç kullave te ish-kompleksi “Partizani”, ka ndërtuar komplekset me pallate “Mangalem 21”, “Marga”, “Magnet”, “Kaimi”, “Kadiu”, “OXA”, SiRi” e “Nokia” në Tiranë.

Tani, të pandehurit Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi, po përfundojnë kompleksin “ABA” me 72 vila 3 kat në Farkë, ndërsa SPAK vazhdon merret me fjalime e citate kundër pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit, kur kompleksi i vilave “ABA” e të tjerët e tyre, ia bëjnë “muuu” që po financohen me miliarda të zeza.

Një drejtues emisioni në “ABC-TV” që bënë reklamën e shitjes së vilave të kompleksit “ABA”, për ta bërë më miqësore lidhjen, tha: – Bravo Fate e Abi, për këto super vila që keni ndërtuar me stil, shije e luks e çmime të lira.

Dhëndri i “non grata’s” dhe ortaku i tij, edhe këtë kompleks vilash e pallatesh e kanë ndërtuar me leje të KKT të drejtuar  Edi Rama dhe nga Bashkia Tiranë e drejtuar nga Erjon Veliaj; por SPAK nuk i sekuestron, duke bërë sikur nuk e di që janë pronësi e Jamarbër Malltezit e të pandehurit tjetër  Fatmir Bektashi.

Publikuar nga Publik Media