Rama distancon Veliajn: Inaugurimi i Teatrit të Kukullave pa kryebashkiakun e Tiranës

Një vit më parë, Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ishin krah për krah në nisjen e punimeve për Teatrin e Kukullave. Sot, në inaugurimin e përfundimit të kësaj godine, Veliaj mungoi krejtësisht, ndërsa Rama zgjodhi të shoqërohej nga ministri Blendi Gonxhe. Ky veprim ka ngjallur spekulime për një distancim të qëllimshëm mes kryeministrit dhe kryebashkiakut, sidomos pas skandaleve të fundit që kanë goditur Bashkinë e Tiranës dhe hetimeve mbi pasuritë e Veliajt.
Në mars të vitit 2023, Rama e cilësonte Teatrin e Kukullave si një “shenjtëri arkitektonike” të munguar prej kohësh për fëmijët e Tiranës. Megjithatë, mesazhi i tij në këtë inaugurim ishte i qartë: mungesa e Veliajt dhe zëvendësimi i tij me Blendi Gonxhen simbolizon një krisje të thellë mes dy figurave kryesore të Partisë Socialiste. Gonxhe, tashmë i angazhuar për drejtimin e fushatës socialiste në Tiranë, duket se ka marrë një rol që më parë i takonte Veliajt.
Postimi i ceremonisë në rrjetet sociale të Veliajt shton më tej dyshimet. Kryebashkiaku nuk ka ofruar asnjë shpjegim publik për mungesën e tij, duke lënë hapur interpretimet mbi një agjendë të “parefuzueshme”. Por heshtja e tij mund të jetë më shumë sesa një çështje orari – është një tregues i dukshëm i një ndarjeje politike në radhët e PS-së.
Për shumë vëzhgues, ky është një tjetër hap në distancimin që Rama po ndërmerr nga bashkëpunëtori i tij i dikurshëm, sidomos pas zbulimit të aferave të dyshuara korruptive në Bashkinë e Tiranës. Ky nuk është rasti i parë ku Veliaj është përjashtuar nga aktivitetet qeveritare të nivelit të lartë, por duket se është sinjali më i fortë për rënien e tij politike.
A po i afrohet fundi i karrierës së Veliajt si një figurë kyçe brenda PS-së? Kohët e fundit, Rama duket se ka zgjedhur të mbajë distancë nga zyrtarët e përfolur për skandale, dhe Veliaj nuk bën përjashtim. Inaugurimi i Teatrit të Kukullave mund të ketë qenë një ngjarje festive për qytetarët, por për Veliajn, ishte një paralajmërim i qartë politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



