Mësohet se shkarkimi i Eriola Mukës ka ardhur pas dështimit të ankandit për shitjen e 118 mijë ton naftë nga Albpetrol. Sakaq, Eriola Muka ka qenë në qendër të akuzave politike ditët e fundit pas shkarkimeve masive të punëtorëve të naftës, nga Patosi, Ballshi, Fieri e Kuçova.
Sipas Partisë Demokratike Eriola Muka ka shkarkuar mbi 600 punonjës të Albpetrol me pretekstin e rënies së financave të kompanisë për shkak të covid-19, ndërsa ka emëruar në vend të tyre familjarët e vetë.
Ndërkohë, përsa i përket drejtorit të ri të Albpetrol Gent Gazheli, ai u shkarkua nga detyra si ambasador i Shqipërisë në Turqi në nëntor të vitit 2019 pasi u premtoi gazetarëve italianë se do të ndihmonte për të kthyer shqiptarin Alvin Berisha nga Siria.
Në momentin kur gazetarët italianë të “Le Iene” kanë telefonuar ambasadorin Gazheli për riatdhesimin e Alvin Berishës, ky i fundit u ka mbyllur telefonin. Reagimiet e shumta bënë që Gent Gazheli të shkarkohej nga posti i ambasadorit ndërsa në vend të tij u emërua Kastriot Robo.




