Rama flet për komunikimet me qytetarët: Nuk jam prokruror! S’më jep dot kush leksione për ndërhyrje
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave ndaj tij për ndërhyrje në punën e drejtësisë.
Në konferencën nga selia e PS-së, kreu i qeverisë deklaroi se askush nuk i jep leksione për ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë.
Sipas Ramës, ai është akuzuar se shiti besimin e qytetarëve tek drejtësia e re, por shton se askush nuk e ka mbështetur këtë reformë më shumë se sa vetë ai.
“Merrni shikoni të gjithë komunikimin tim me qytetarët në rrjetet e mia sociale. Për të gjithë periudhën që kam komunikuar me ta, do të çuditeni, se unë u kam të arkivuara me statistika, se sa herë njerëzit më drejtohen mua si njeriu që shiti shpresat dhe besimin e tyre tek një drejtësi e re. Dhe shikoni përgjigjet e mia. Janë të njëjtat përgjigje, kryeministri nuk është as prokuror dhe as gjykatës. Qeveria nuk është drejtësi, nuk bën drejtësi, garanton punën e drejtësisë. Mua nuk më jep askush asnjë leksion për ndërhyrjen në punën e drejtësisë, as shqip e as anglisht.Kush nuk është i angazhuar politikisht kundër meje, e ka të thjeshtë të shohë historinë, dhe nuk do e gjejë në asnjë vend në histori kur një qeveri mbështet këtë drejtësi në këtë formë.
Kryeministri Edi Rama përmendi pagat e anëtarëve të sistemit të drejtësisë për të treguar mbështetjen që i ka dhënë PS reformës për drejtësi të pavarur, e bëri krahasimin me deputetët për të cilët tha se nuk u janë rritur rrogat që nga viti 2013.
“Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje të gjithë zhvillimet pas kalimit të reformës. E kam thënë e përsëris nuk kam pas asnjë iluzion që kjo do ishte një shëtitje apo lëndinë. Kjo është një ngjitje shumë e vështirë ndaj ne i kemi mbështetur institucionet e reja të drejtësisë apo njerëzit e këtyre institucioneve përtej edhe logjikës aritmetike të buxhetit tonë të shtetit.
Merrni shikoni shifrat se sa buxhet është spostuar nga të tjera zëra për të shkuar drejt zërit të drejtësisë. Merrni shikoni pagat e institucioneve të drejtësisë.
Që prej vitit 2013 nuk është bërë asnjë rritje page e anëtarëve të kabinetit qeveritar apo deputetëve, përkundrazi u janë rritur taksat.
Shikoni pagat në institucionet e drejtësisë, shikoni mbështetjet financiare e logjistike për këto institucione, për të kuptuar sa shumë rëndësi i japim ne këtij procesi e se mbështetja jonë është 360 gradë për drejtësinë e re.
E dyta, mbështetja jonë është absolutisht domethënëse kur ne e kemi qepur gojën e do vazhdojmë ta mbajmë qepur gojën sa herë që institucionet e drejtësisë të drejtohen drejt oborrit tonë për këdo qoftë që mund të ketë llogari të hapura me drejtësinë, Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë.
Nuk ka ndodhur që kush është në pushtet të qepi gojën kur drejtësia merr këdo qoftë nga radhët e veta për ta vendosur para ligjit”, tha kryeministri Rama.
Rama kërkoi që “kjo drejtësi e pavarur duhet të çlirohet nga çdo frikë e të kaluarës, e më në fund të hetohen 21 janari, krimi shtetëror nuk parashkruhet, nuk ekziston, të hetohet deri në fund nëse është apo nuk është. Të hetohet Gërdeci, disa skandale te mëdha korruptive”.
Sipas kreut të qeverisë, SPAK duhet ‘të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve dhe të gjykatësve e prokurorëve të korruptuar’.
“Jemi sot këtu në vijim të një diskutimi që është ngjallur nga deklarata ime në Asamble lidhur me nevojën që SPAK të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve dhe të gjykatësve e prokurorëve të korruptuar të cilët si të tillë janë përjashtuar nga procesi i vetingut”, theksoi Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



