Rama ironi me akuzat politike: Sa keq që nuk gjendet vaksina e ‘dëshpërimit të opozitës’
Në fjalën e mbajtur sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave kryeministri Edi Rama u është përgjigjur deklaratave të opozitës lidhur me masat e marra në lidhje me përmbytjet. Rama tha se “vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula”, duke theksuar se situata pas përmbytjeve sot është shumë më e pranueshme nga koha kur sipas tij “bëhej hataja’’.

Kreu i qeverisë theksoi faktin që deri më tani s’ka asnjë dëm në jetë njerëzore, ndërsa i konsideroi si minimale dëmet në banesa.
“Situata nuk ka si të jetë e pëlqyeshme në ato zona ku reshjet kanë qenë intensive. Falë gjithë punës së bërë ditë për ditë dhe vit pas viti, falë infrastrukturës së kullimit e kapaciteteve mbrojtëse, sot me këtë sasi reshjesh kemi një gjendje shumë më të pranueshme dhe absolutisht nën kontroll, krahasuar nëse do të ishim si në ato vite jo shumë të largëta kur bëhej hataja! Nga pikëpamja e jetëve njerëzore s’ka asnjë dëm. Nga pikëpamja e banesave dëmet janë minimale”, u shpreh kreu i qeverisë.
Pak para mbledhjes së Komitetit Ndërministror pati një reagim edhe nga presidenti Meta që e konsideroi si papërgjegjshmëri ekstreme dhe të dënueshme ligjërisht faktin që sipas tij institucionet shtetërore nuk po e marrin seriozisht alarmin e ngritur nga IGJEUM mbi rrezikun e përmbytjeve në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



