Rama, `Kazanët`, Krichbaum, Schütz, Trump dhe Lu!

Agjencia zyrtare gjermane e lajmeve, Deutsche Welle, për të tretën ditë rresht nëpërmjet shkrimeve të zgjeruara mbi qëndrimet skeptike të Berlinit ndaj qeverisë Rama në Shqipëri, ndër të tjera trajton edhe fushatën mediatike të paprecedentë, të zhvilluar në vendin tonë kundër një politikani të lartë si Gunther Krichbaum.
Disa deputetë demokristianë në parlamentin gjermanë kanë konfirmuar, se kishin të dhëna të besueshme se artikujt kundër kolegut të tyre me akuza të rënda janë shkruar dhe iniciuar nga autorë, afër Partisë Socialiste. Së bashku edhe me socialdemokratët, këtë ia thanë në sy edhe vetë Edi Ramës gjatë takimit të nxehtë, që patën me atë në Berlin.
Deputeti Gunther Krichbaum, “papritur” u gjend kohët e fundit në qendër të një fushate të egër denigruese dhe shpifjesh të ulëta, në media pranë kryeministrit Rama, ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Në shumicën e rasteve, edhe në anglisht. Pa asnjë provë dhe referencë, ai u etiketua si pro-rus e pro-serb, i paguar nga opozita shqiptare për të penguar hapjen e negociatave etj.
Fillimisht e gjitha kjo ngjasonte me një betejë të ndyrë politike brenda vendit, mes palëve. Nuk është hera e parë që në Shqipëri betejat politike për “përdorim të brendshëm” marrin si lëndë të parë, politikën ndërkombëtare.
Më herët po këto media pranë kryeministrit dhe “Rilindjes” kanë bërë të njëjtën gjë me kandidatin dhe më pas presidentin e SHBA, Donald Trump.
Por duket se kjo fushatë e fundit ndaj një ligjvënësi të rëndësishëm të Bundestagut nuk do të kalohet lehtë në Gjermani, pavarësisht se kur deputetët i kërkuan llogari Ramës në takimin gjatë vizitës së tij në Berlin, ky i fundit kërkoi “falje” dhe u distancua, duke i quajtur “kazan” dhe u qarë, se edhe vetë është shpesh viktimë e tyre.
Ulërimat si të një fajtori të kapur me presh në dorë të Edi Ramës, “liegen, liegen“ (gënjeshtër, gënjeshtër), si dhe ndjesa e tij nuk i impresionuan fare deputetët e ftohtë gjermanë. Ata nisën ti tregojnë me emra të përveçëm dhe fakte se, “kazanët” që sipas Ramës kishin persekutuar edhe atë vetë në Shqipëri, në fakt nuk ishin gjë tjetër veçse media, të cilat 24 në 24 orë mburrin qeverinë e tij nga njëra anë dhe nga ana tjetër, sulmojnë dhe denigrojnë opozitën dhe çdo zë kritik.
Madje ata kishin informacione, se drejtues të këtyre portaleve që shpifën në mënyrë të paprecedentë kundër kolegut të tyre janë, edhe të punësuar pranë qeverisë.
Në ndryshim me ambasadën e SHBA-ve nën drejtimin e Donald Lu, në kohën që të njëjtat media sulmonin presidentin Trump, ajo gjermane e drejtuar nga Susanne Schütz, duket se ka funksionuar krejtësisht ndryshe.
Ndërkohë që mediat pranë kryeministrit hidhnin baltë me lopatë mbi kandidatin dhe më pas edhe presidentin e Lu-së, ky i fundit jo vetëm që nuk reagoi kurrë, por përkundrazi paralelisht shtonte elozhet dhe përkrahjen për kryeministrin, edhe kur skandalet dilnin sheshit si ujërat e zeza në kulm të sezonit turistik në Ksamil.
Jemi të gjithë dëshmitarë në atë kohë të një paradoksi, që vetëm në Shqipëri mund të ketë kuptim. Të njëjtat media që sulmonin presidentin Trump, në të njëjtën ditë ktheheshin në mbrojtëse epike të ambasadorit Donald Lu, sa herë që ai kritikohej për qëndrime të njëanshme dhe në favor të qeverisë.
Në fakt asnjë nga mediat që Rama etiketon me zell këtu brenda vendit, “kazan”, nuk ka sulmuar deputetin e rëndësishëm të CDU-së. Në mënyrë të koordinuar kjo fushatë u realizua, vetëm në media online të deklaruara hapur si të pozicionuara dhe të financuara nga Rilindja.
E gjitha kjo nuk është kaluar lehtë, nga trupa diplomatike gjermane në Tiranë. Ata kanë investiguar dhe tashmë nuk është sekret, që një informacion i detajuar për këtë çështje i është dërguar Bundestagut dhe vetë kancelares Merkel.
Në kuadër të gjithë kësaj, zyra e Gunther Krichbaum ka konfirmuar se ai ka anuluar vizitën e tij zyrtare në Tiranë, e planifikuar në fillim të muajit Maj. Skandali që nisi si një “luftë” amorale dhe pa rregulla, kundër “mikut antishqiptar të Lulzim Bashës” i ka kaluar kufijtë e mizaskenave bajate dhe plot intriga, që ndërton Rama çdo ditë këtu për të mashtruar votuesit.
Ajo është kthyer në një turp, për Shqipërinë dhe çdo shqiptar. Në Berlin e gjitha kjo nuk është marrë si një sulm ndaj një emri të përveçëm, por po konsiderohet si një presion që u bëhet nga Tirana zyrtare.
“Kjo fushatë nuk ka të bëjë me zotin Krichbaum, po na dërgohet hapur sinjale; Ne shpifim për ata që dalin kundër nesh”, ka deklaruar për DË referenti i një deputeti që kishte refuzuar pjesëmarrjen në darkën e kryeministrit Rama.
Po çfarë ka bërë dhe çfarë po thotë kundër Shqipërisë, “i shkreti” Krichbaum?!
E gjithë retorika e tij, që e nxori Ramën nga shinat kur deklaroi përpara vizitës në Berlin se, “ në Europë ka bisha, që nuk e duan Shqipërinë”, përmblidhet vetëm në një fjali;
“Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat, sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar janë në nivelet më të larta dhe nuk ndëshkohen”.
Sipas mediave gjermane pjesën kryesore të kësaj fjalie, pra krimin që ka kapur shtetin, korrupsionin galopant dhe mos ndëshkueshmërinë, Rama e ka dëgjuar në mënyrë të përsëritur edhe gjatë 90 minutave kokë më kokë me kancelaren Merkel. Prandaj ajo foli edhe për disa “para kushte”, që nuk kanë të bëjnë fare me raportin e rekomandimit, Mogherini&Hahhn, të cilin Rama po e përdor fort si gjethe fiku.
Shqiptarët me dëshirë të plotë dhe qeveritë e tyre me pahir, i kanë pranuar SHBA dhe Gjermaninë si tutorë dhe mjekë të prosperitetit dhe demokracisë së tyre problematike. A ka gjë më të ndyrë dhe kriminale se sa të denigrosh dhe shpifësh, për doktorin që tregon hapur sëmundjen e rëndë dhe mënyrën se si ta shërosh atë?!
Kjo ndodh vetëm në rastin, kur përfaqëson grupin e qelizave kancerogjene brenda trupit, të cilat ekzistojnë dhe rriten vetëm si të tilla.
Shqiptarët e dinë më mirë, se Gunther Krichbaum dhe politikanët e tjerë “skeptikë” europianë, (jo vetëm në Gjermani), se përse Edi Rama e mbron me çdo kusht Tahirin; si u vu policia dhe gjithë shteti në shërbim të fermerëve dhe trafikantëve të drogës; kush ndërton kulla mbi pronën e përbashkët dhe me çfarë parash; kush i merr tenderat pa garë dhe koncesionet që grabisin paratë e taksapaguesve pa kryer asnjë shërbim; kush jeton në luks ndërkohë që varfëria ka tejkaluar, kufijtë e mbijetesës.
Nëse vëren me vëmendje tendencën aktuale të Bashkimit Europian, shto edhe një shtysë nga ana e SHBA, gjasat janë të mëdha që për arsye koniukturiale të zhvillimeve të fundit gjeo-politike, në qershor Shqipërisë dhe Maqedinsë do t’i hapen negociatat.
Ky do të ishte një lajm i madh për shqiptarët, por kjo nuk do të thotë se njëkohësisht është edhe “oksigjen”, për grup-qelizat malinje që po drobisin e tresin vendin.
Edi Rama po e trajton, po lufton dëshpërimisht dhe shpreson që të jetë kështu. Gjithsesi çfarëdo që të ndodhë në Qershor, një fitore e madhe për Shqipërinë është arritur:
Mjekët e saj kanë identifikuar dhe certifikuar diagnozën e sëmundjes dhe po u tregojnë shqiptarëve kurën e vetme, për të shpëtuar të ardhmen e tyre!/Syri.net
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



