E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama merr sërish në mbrojtje Ballukun dhe Karçanajn
Lajme

Rama merr sërish në mbrojtje Ballukun dhe Karçanajn

“Gjueti shtrigash, Mirlinda jeton me qira”

Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të hapur të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar para mediave se komunikimet përmes mesazheve mes saj dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, nuk mund të konsiderohen prova penale.

Sipas Ramës, as akuza për shkelje të barazisë në tendera, për të cilën Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, nuk përbën domosdoshmërisht korrupsion. Ai theksoi se edhe Bashkimi Europian ka rishikuar qasjen ndaj këtij klasifikimi penal, duke bërë dallim mes korrupsionit dhe veprave të tjera penale administrative apo procedurale.

Kreu i qeverisë u shpreh se në Shqipëri zhvillohen çdo vit mijëra procedura prokurimi dhe miliona ndërveprime institucionale, ndërsa numri i çështjeve penale që kanë përfshirë funksionarë përgjatë 12 viteve është relativisht i kufizuar. Ai theksoi se shumica dërrmuese e këtyre rasteve i përkasin mandateve të para qeverisëse, ndërsa një pjesë shumë e vogël lidhet me vitet e fundit.

Rama kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, ndërtohen narrativa publike mbi bazën e mesazheve private, duke paralajmëruar për rrezikun e “gjyqeve mediatike”. Ai u shpreh se mesazhet mund të jenë pjesë e një procesi hetimor, por nuk mund të kthehen automatikisht në prova për dënim publik apo penal, pasi kjo, sipas tij, shkatërron jetën dhe familjen e individëve, edhe në rast se ata shpallen të pafajshëm më pas.

Në këtë kontekst, Rama solli si shembull dënimin e një kryetari bashkie në Fushë Arrëz, i cili u dënua me burg për prerje pemësh gjatë hapjes së një rruge për komunitetin, duke e cilësuar rastin si disproporcional dhe të turpshëm. Ai theksoi se jo çdo vepër penale lidhet me korrupsionin dhe se shpërdorimi i detyrës apo pabarazia në tendera nuk mund të trajtohen automatikisht si raste korrupsioni.

Kryeministri nënvizoi se Bashkimi Europian, me kërkesë të disa shteteve anëtare si Gjermania dhe Italia, ka miratuar direktiva të reja për rishikimin e nocionit të “shpërdorimit të detyrës”, pikërisht për të shmangur përfshirjen e vendimmarrjeve politike apo administrative në procese penale pa prova për qëllim të paligjshëm.

Rama theksoi se ndarja e pushteteve është thelbësore në një shtet demokratik dhe se drejtësia nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen ekzekutive, përveç rasteve kur provohet qartë përfitimi i paligjshëm apo dëmi i qëllimshëm.

Po ashtu, kryeministri i doli në mbrojtje drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçaj, ndaj së cilës SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Rama tha se Karçaj është personi që ka ndërtuar dhe strukturuar këtë institucion ndër vite dhe se gëzon respektin e tij maksimal profesional dhe njerëzor.

Ai theksoi se Karçaj jeton në një shtëpi me qira, ndërsa më herët ka banuar në banesën e prindërve të saj, duke hedhur poshtë, sipas tij, insinuatat për pasuri të pajustifikuara. Rama shtoi se e njeh prej më shumë se 20 vitesh dhe se ajo gëzon respekt edhe në nivel ndërkombëtar.

Kryeministri kritikoi ashpër nxjerrjen në publik të copëzave nga dosjet hetimore, duke e cilësuar këtë si shkelje të sekretit hetimor dhe ushqim për gjykimin publik të parakohshëm. Sipas tij, përzierja e “gjysmë të vërtetave” krijon perceptime të rreme dhe dëmton parimin e prezumimit të pafajësisë.

Në fund, Rama u shpreh se sulmet ndaj tij dhe qeverisë përmes “tenxhereve” mediatike, siç i cilësoi ai, nuk e dobësojnë, por përkundrazi e forcojnë politikisht, duke shtuar se gjykimi duhet t’i lihet vetëm institucioneve të drejtësisë dhe jo presionit publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.