Rama ‘ndryshon pllakë’, pranon se protestuesit kanë të drejtë
Pas javësh deklaratash kritike ndaj protestave, kryeministri Edi Rama ka shfaqur një ndryshim të dukshëm në qasjen e tij publike. Në episodin më të fundit të podcastit “Flasim”, ai solli në vëmendje historinë e një qytetari, Amos Mezuraj, i cili prej gjashtë vitesh përballet me zvarritje institucionale për zgjidhjen e problemit të banesës së dëmtuar nga tërmeti.
Gjatë diskutimit, Rama e konsideroi të drejtë zemërimin e qytetarit, duke pranuar se në një situatë të ngjashme “me shumë gjasa do të merrte pjesë edhe vetë në protestë”. Ai theksoi se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që dalin në bulevard nuk udhëhiqen nga bindje politike, por nga problemet e pazgjidhura dhe mungesa e përgjigjeve konkrete nga institucionet.
Megjithatë, kryeministri mbajti të pandryshuar qëndrimin e tij ndaj organizatorëve të protestave. Ai ritheksoi se, sipas tij, disa individë dhe grupe të caktuara – përfshirë edhe aktorë jashtë vendit – shfrytëzojnë pakënaqësitë e qytetarëve për interesa të tyre, duke synuar mbajtjen e tensionit dhe jo zgjidhjen e situatave.
Deklaratat e fundit shënojnë një kthesë në retorikën e kreut të qeverisë: nga kritikat e përgjithshme ndaj protestave, drejt pranimit se shumë prej protestuesve kanë arsye të forta për reagim, ndërsa përgjegjësia për zvarritjen e zgjidhjeve bie mbi administratën shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



