Rama përkujton 21 janarin, por pllaka përkujtimore e të ndjerit Hekuran Deda është vjedhur
Drejtësia vonon por nuk harron!
Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar protestën e dhunshme të 21 janarit 2011, gjatë së cilës u vranë 4 protestues dhe u plagosën disa të tjerë.
Kreu i qeverisë, krahas fotos të publikuar në rrjete sociale, shkruan se ata që po vonojnë drejtësinë për 21 janarin nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër.
“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë”, shkruan Rama.
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestave të opozitës më 21 janar 2011.
Edhe pse kanë kaluar 14 vite nga ajo ditë familjarët thonë se ende nuk po shohin drejtësi për të afërmit e tyre.
“21 janari” është zyrtarisht një çështje që po hetohet nga SPAK. Çështja u regjistrua nga SPAK në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë të marsit të këtij viti, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika.
1 javë nga përkujtimi i ngjarjes tragjike të 21 Janarit, ku u vranë 4 protestues në bulevard, pllaka përkujtimore e të ndjerit Hekuran Deda është vjedhur.
Është gazetari Artan Hoxha ai i cili ka publikuar fotot, duke treguar se pllaka prej bronzi nuk është më. Në Bulevard, u vendosën 4 pllaka bronzi në nder të 4 viktimave, por si duket dikush e ka marrë njërën prej tyre.
Postimi i plotë
Dale se nuk keni parë gjë akoma….
E paskan vjedhur Hekuranin (Deda), në mes të bulevardit dhe para syve të gardistëve që ruajnë kryeministrin.
Në fakt kishin vjedhur dhe Faikun (Myrto), nga trotuari tjetër i bulevardit, përballë kryeministrisë. Por Faikun, punonjësit e bashkisë, e kanë zëvendësuar në kohë edhe pse jo në të njëjtat përmasa, që ka patur pllakati përkujtimor fillestar.
Në fakt bëhet fjalë për pllakatet përkujtimore në nderim të 4 protestuesve “Dëshmorë të Atdheut”, të pushkatuar pa gjyq nga armët e shtetit gjatë protestës së 21 janarit 2011.
Për ironi të fatit, në historinë gati njëqindvjeçare të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrto dhe Aleks Nika, janë të vetmit Dëshmorët në atë bulevard.
Në kujtim të 4 “Dëshmorëve”, u vendosen kater pllaka përkujtimore prej bronzi, në vendet ku ata mbetën të vrarë.
Për pak ditë mbushen plotë 14 vite nga protesta më e përgjakshme në Shqipëri, por ende drejtësia Shqiptare nuk ka dhënë drejtësi.
Autorët, urdhëruesit, organizatorët dhe ata që prishën provat apo penguan hetimet, vazhdojnë të jenë të pandëshkuar.
Ndërsa përfituesi direkt i asaj masakre, njeriu që erdhi në pushtet me premtimin se do të bënte drejtësi me çdo kusht dhe me çdo çmim, vazhdon të jetë në pushtet për tre mandate me radhë, për 12 vite rresht, por pa e mbajtur kurrë premtimin e tij.
Sot kalova në bulevard me idenë, nëse përfituesit e 21 janarit 2011, janë kujtuar se po afrohet data e ceremonisë përkujtimore të radhës dhe çfarë po përgatisin për tu justifikuar para familjarëve të viktimave.
Në fakt nuk u zhgënjeva.
Kishin filluar të bënin gati vendin ku kryeministri do të ulet serish në gjunjë dhe do të vendos karafila të kuq.
Sa herë kaloj në bulevard, bëj kujdes të mos i shkel pllakat përkujtimore prej bronzi, të cilat nuk kanë emër. Herë pas here i shikoj nëse ka ndodhur gjë me to.
Në fakt para disa vitesh, kur bashkia ndërtoi korsitë e biçikletave, pllakat e bronzit të 4 “Dëshmorëve”” të Atdheut”, u shkurtuan dhe u prenë për të mos i prishur estetikën projektit inovator të bashkisë.
Sot në mesditë, kur punëtorët e bashkisë ishin duke e pastruar vendin, ku do të bëhet ceremonia e radhës, konstatuan se pllakati përkujtimor prej bronzi në vendin ku u vra Hekuran Deda ishte vjedhur.
Duket e pabesueshme, që në bulevardin kryesor të vendit, i mbuluar në çdo cep të tij nga kamerat, mu përballë derës kryesore të kryeministrisë, ku vigjilon çdo ditë Garda e Republikës, ishte vjedhur pllakati përkujtimor.
Për punonjësit e bashkisë kjo nuk përbënte ndonjë lajm të veçantë, pasi më thanë se pllakatet e bronzit ishin grabitur dhe herë tjetër, por ata i kishin zëvendësuar.
Nuk e di nëse këtë radhë, ata do t’ia dalin në kohë të ribëjnë pllakatin e Hekuran Dedës. Urdhëroi ishte i prerë. Kur kryeministri të paraqitet paraditen e 21 janarit 2025, për tu ulur në gjunjë, pllakati përkujtimor duhet të ndodhet aty i bërë xixë.
Ndërsa ne presim, që ky kryeministër dhe kjo qeveri, si përfituesja direkt e 21 janarit 2011, të mbaj premtimin për të ndëshkuar autoret e vrasjeve të 4 “Dëshmorëve të Atdheut”, asaj i vjedhin për skrap dhe 4 pllakatet përkujtimore në mes të bulevardit….
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



