Rama ‘pranon’ komunikimet me Ramë Gecin: Takoj kë të dua unë!
Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Edi Rama u pyet lidhur me disa mesazhe të përfshira në dosjen e SPAK-ut për zv/kryeministren Belinda Balluku, ku përmendet edhe emri i tij në një kërkesë drejtuar numrit dy të qeverisë për të zhvilluar një takim me biznesmenin Ramë Geci.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se takimet me sipërmarrës dhe biznesmenë janë pjesë e natyrshme e funksionit të kryeministrit dhe se nuk sheh asgjë të pazakontë në kërkesën e bërë ndaj Ballukut.
“Ramë Geci është një njeri i nderuar që punëson mijëra persona, dhe që unë t’i them ministrave tako këtë tako atë unë këtë nuk e di për Ramë Gecin në atë rast, por e bëj për atë dhe gjithë shokët e Ramë Gecit sa herë është nevoja. Kryeministrat, kolegët e mi, u gjëmojnë nga pas sipërmarrësve dhe harxhojnë pjesë të kohës duke folur me ta duke u thënë ca keni nevojë etj. Që unë të kem thënë takoje s’ka asnjë çudi, se mund të jem interesuar nja 10 herë kur ka pasur problemet e tij”, tha Rama.
Më tej, kryeministri theksoi se takimet dhe kontaktet me individë të ndryshëm nuk mund të përdoren si bazë për dyshime apo akuza.
“Unë do takoj kë të më doje e bardha zemër dhe kë të më dojë e mira mendje. Njeriu nuk mund të fajësohet apo dyshohet kurrë për kë takon”.
Në materialet hetimore të SPAK-ut për zv/kryeministren Belinda Balluku, është zbardhur gjithashtu një mesazh që ajo i ka dërguar ish-vartësit të saj, Evis Berberi, ku e informon se takimi me biznesmenin Ramë Geci është zhvilluar me kërkesë të kryeministrit Rama.
Mesazhi mban datën 26 shtator të vitit të kaluar. Pas këtij komunikimi, Berberi i ka kthyer përgjigje Ballukut duke shkruar se takimi ishte zhvilluar po atë ditë dhe se ai vetë e kishte takuar biznesmenin rreth një orë më parë në një kantier ndërtimi, ku kishin inspektuar punimet në të gjithë segmentin e Unazës.
Sipas të dhënave të publikuara në sistemin elektronik të prokurimit publik, pas shpalljes fituese të shoqërisë “Geci” sh.p.k., është lidhur kontrata mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kësaj kompanie për projektin “Ndërtim rruga Porto Romano–Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



