Rama presion për vaksinën, studentët paralajmërojnë protesta!
Kryeministri Edi Rama përsëriti thirrjen drejtuar studentëve për t’u vaksinuar, pasi në të kundërt, privohen nga studimet.

I 1prerë në vendimin e tij, ende të pazbardhur, kreu i qeverisë ua bëri edhe një herë të qartë se “paranojat” e novaksëve nuk kanë përse të kërcënojnë shëndetin e atyre që frekuentojnë ambiente dhe marrin shërbime publike, siç janë studimet universitare. “Studentët që nuk do të vaksinohen, nuk do të hyjnë në auditorë, sepse nuk ka mundësi që pjesa që është e vetëdijshme, që do të mbrohet, të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit apo me frikëra që janë komplet antishkencore, të pabazuara, të pajustifikueshme.
Natyrisht që askush nuk i merr me forcë, por në mjedise ku janë dhe të tjerë, je i detyruar të vaksinohesh”. Përveç presionit të drejtpërdrejtë, për herë të parë i pari i qeverisë dha edhe alternativë për studentët. Ndonëse jashtë auditorëve, “të pabindurit” do të mund të mësojnë, por online. Përpara 11 tetorit, datës së përcaktuar për studentët që futen në auditorë, pjesa më e madhe e të rinjve vijnë në konvikte. Ndaj, edhe përgatitjet për vendosjen e barrierave kanë nisur që aty. Stafe vaksinimi do të stacionohen në konvikte për të mundësuar regjistrimin e tyre vetëm për ata që pranojnë injektimin e dozave.
ADMINISTRATA
Pas katër kategorive që duhet të vaksinohen me detyrim, dje, nga Qendra Shëndetësore nr. 1 në Tiranë iu dërgua sinjali edhe punonjësve publikë, të cilët gjithashtu janë përfshirë në listën e komitetit për vaksinim të detyruar.
“E njëjta gjë vlen për administratën. Aty ku janë mjedise publike, ku mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët. Nuk ta ka borxh pjesa tjetër protestën ndaj shkencës apo marrëzinë në raport me realitetin. Natyrisht që mirë është të vaksinohesh, sepse jetën duhet ta mbrosh, por në fund të ditës nuk mund të kërcënosh jetën e të tjerëve”, nënvizoi Kryeministri Rama teksa fliste me tone pozitive mbi situatën pandemike, sipas tij, stabël, vetëm si rezultat i vaksinimit. “Ne kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv, prandaj jemi shumë më të mbrojtur sot. Nëse nuk do kishim pasur këtë sukses në këtë proces, nëse nuk do kishim siguruar sasitë për vaksinimin masiv që në krye të herës, sot do të ishim duke numëruar larg qoftë dhjetëra të vdekur në ditë. Ky është fakt. Siç po numërojnë të tjerët e që kanë humbur fazën e parë”. Nga ana tjetër, mosbërja e vaksinës kushton. Nëse jo vendin e punës, dikujt mund t’i kushtojë aq sa vlera e tamponëve që duhet të bëhen një herë në tri ditë për të vërtetuar që nuk është bartës i virusit dhe nuk infekton.
REZISTENCA
Ndonëse në doza gati të papërfillshme, edhe në Shqipëri vaksina me detyrim ka hasur në rezistencë. Një protestë e dytë është paralajmëruar të zhvillohet të shtunën në orën 11:00 përpara Universitetit të Arteve, për të kundërshtuar injektimin e vaksinës si kusht për të marrë një shërbim. Të pyetur nga përfaqësitë studentore, pjesa dërrmuese e studentëve thonë se janë gati ta injektojnë, ndërsa një përqindje shumë e ulët refuzojnë. Midis tyre ka edhe raste sporadike të të rinjve që thonë se pranojnë të pezullojnë një vit akademik, derisa aludimet për vaksinat të qartësohen me studime shtesë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



