Rama shkarkon drejtorët e të gjithë spitaleve në vend
Pas largimit të drejtuesve të Hipotekave, Edi Rama ftoi sot drejtorët e spitaleve dhe institucioneve të shëndetit publik të japin dorëheqjen me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor.
Sipas kryeministrit, spitalet janë keqmenaxhuar nga drejtorët. Këta drejtorë janë emëruar nga vetë qeveria e drejtuar nga Edi Rama, ndërsa sot po shkarkohen me idenë se nuk janë kujdesur të mbajnë pastër mjediset e spitaleve.
“Asgjë nuk e justifikon dhe asgjë nuk e kapërcen dot ndjenjën e turpit për shtetin që spitalet të mos jenë shembuj pastërtia dhe higjiene. Kjo është A-ja për çdo mjedis të shërbimit publik. Dhe për spitale kjo është A-ja me e madhe.
Përgjegjësinë për këtë e kanë drejtorët e spitaleve. Drejtorët e spitaleve pis dhe mjediset e spitaleve pis” – u shpreh Rama, ndërsa deri ditën e zgjedhjeve, për të, spitalet ishin shembull i punës së qeverisë së tij.
Sipas Ramës, këto dorëheqje do t’i japin rrugë afirmimit të një profili të ri drejtuesi menaxher në spitale, përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik.
“Largimi i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë”,- është një nga pikat e propozimeve të Ramës, gjatë bisedës me drejtuesit e spitaleve në Kryeministri.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155011610556523/
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



