Rama thërret miting me punonjësit e Bashkisë së Tiranës
Sfidë të hapur ndaj SPAK
Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot një miting në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë punonjësit e Bashkisë së kryeqytetit. Ky është një precedent i paprecedentë në politikën shqiptare, ku kreu i qeverisë merr praktikisht kompetencat e kryetarit të Bashkisë, i cili ndodhet pas hekurave për korrupsion dhe pastrim parash.
Duket se mitingu i sotëm është një formë presioni e hapur ndaj drejtësisë, një sfidë ndaj SPAK, që së fundmi ka ndërmarrë një nga goditjet më të forta ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit vendor. Në një lëvizje që shihet si një demonstrim force dhe një sinjal kundërshtie ndaj hetimeve të drejtësisë, Rama ka mbledhur në shesh rreth 6 mijë punonjës të varur nga Bashkia e Tiranës, të ulur në rreshta karrigesh dhe të rrethuar me gardh metalik, duke sjellë në kujtesë skena nga diktatura apo nga ceremonitë e propagandës në Korenë e Veriut.
Pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, Rama jo vetëm që ka marrë në dorë drejtimin de facto të bashkisë, por ka refuzuar ta shkarkojë atë nga posti, duke e mbajtur zyrtarisht në krye të institucionit, ndërkohë që kompetencat i janë deleguar nënkryetares. Kjo lëvizje shihet nga opozita dhe opinioni publik si një mbështetje e hapur për Veliajn dhe një tentativë për të delegjitimuar hetimet e SPAK.
Ky zhvillim shënon një tjetër përshkallëzim të përplasjes mes mazhorancës dhe drejtësisë së re, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky miting do të pasohet nga të tjera veprime apo mesazhe sfiduese nga qeveria ndaj institucioneve të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



