Rama u përgjigjet akuzave: Fabrikim i të njëjtës dorë, prej 30 vitesh ka fabrikuar ngjarjet më të zeza
Kryeministri Edi Rama të enjten i është përgjigjur akuzave për nxjerrjen e studentëve shqiptar nga godinat e Qytetit Studenti dhe strehimit në to të refugjatëve afganë.

Në një koment të shkurtër në Twitter, Rama thekson se lidhja me nxjerrjen e studentëve nga godinat është fabrikim i të njëjtës dorë që prej 30 vjetësh ka vulosur ngjarjet më të zeza e prodhur shpifjet më të ulëta në këtë vend.
“Lidhja e strehimit paraprak të afganëve që janë si ne 30 vjet më parë, me gjoja nxjerrjen e studentëve nga konviktet është fabrikim i të njëjtës dorë që prej 30 vjetësh ka vulosur ngjarjet më të zeza e prodhuar shpifjet më të ulëta në këtë vend! Ajo dorë është #TurpiiShqiptarisë”, shkruan Rama.
Rikujtojmë se pak ditë më parë studentëve në Tiranë u është kërkuar të lënë konviktet e Qytetit Studenti, për t’u zhvendosur nga godina nr.2 dhe nr.4, të cilat janë përcaktuar fillimisht për vendosjen e afganëve, në godina të tjera, për të paktën tre javë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri me dije se në tetor, të gjitha godinat në Qytet Studenti do të jenë në dispozicion të studentëve. Sipas tij, afganët do të transportohen më pas në hotelet në bregdet, që në atë periudhë janë liruar edhe nga fluksi i turistëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



