E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama viktimë e astmës apo “shqiptari i zakonshëm” që e ka problem zbatimin e rregullave?
Lajme

Rama viktimë e astmës apo “shqiptari i zakonshëm” që e ka problem zbatimin e rregullave?

Merrni një gjerman dhe silleni në Shqipëri dhe ai me kalimin e kohës do tentojë të shkelë ligjin. Kurse shqiptarët në Gjermani zbatojnë ligjet dhe rregullat. Është sistemi”, proklamonte dikur ai. S’mund të thuash që e kishte gabim. Është sistemi. Pre e të cilit, Rama ra vetë më 3 dhjetor 2021

“Maskat më shumë ju rrezikojnë duke ju nxitur të harroni rregullat bazë, se sa ju ndihmojnë të mbroheni nga virusi!”

Kështu porosiste Edi Rama më 18 mars 2020, kur sapo kish shpërthyer pandemia e COVID-19 në vend. Sigurisht, ishin ditët e para të “luftës”. Edhe komuniteti mjekësor ishte krejt i paqartë nëse maska duhej mbajtur apo jo.

Më pas, sipas udhëzimit të OBSH mbajtja e maskës u bë e detyrueshme. Madje Rama nxori blindat e ushtrisë në rrugë për të siguruar disiplinën e urdhëruar prej tij.

Vetë kryeministri e mbante maskën kudo, në ambiente të brendshme e të jashtme, siç thoshte ai “për të ruajtur veten dhe të tjerët”.

Në tetor 2020, ai i tha mediave në një konferencë se i qepte vetë maskat, megjithëse i urrente ato. “Që ta dini ju, unë i pari e urrej maskën, e urrej vënien e maskës se kam atë astmën e vjetër, që me zor marr frymë”,pranoi Rama.

Nuk është sekret që kreu i qeverisë vuan nga astma. Ndaj mban dhe dy breshka në zyrë, të cilat sipas tij, zbusin pasojat e sëmundjes.

Më 3 dhjetor 2021 ai u zbrit familjarisht nga avioni i linjës Frankfurt – Detroit sepse refuzoi kërkesën e përsëritur të stjuardesave për të vendosur një maskë.

Në fakt, siç mësojmë nga artikulli i “Der Spiegel”, ai e mbante një të tillë, por prej cope. Ndërkohë iu kërkua të vendoste një maskë mjekësore.

Në artikull shkruhet se stafi i avionit u detyrua të njoftonte kapitenin e fluturimit, por as ky nuk e bindi dot Ramën.

“Kur edhe pas kësaj, shefi i qeverisë së Shqipërisë nuk iu bind detyrimit të përgjithshëm që të mbante një maskë FFP2 apo një maskë kirurgjikale në vend të maskës prej cope të thjeshtë, Rama u shoqërua jashtë avionit prej policisë federale,” shkruan Spiegel.

Pra, alibia e “urrejtjes ndaj maskave” apo e “astmës” bie.

Kreu i qeverisë refuzoi të mbante maskën e pershtatshme. Me gjasë ai u nervozua vetëm sepse dikush e urdhëroi të bënte diçka. Po të ish një i panjohur do thonim: Ja, shqiptari i zakonshëm që e ka problem zbatimin e rregullave ose kur dikush i thotë të bëjë diçka, përkundër dëshirës.

Ironia qëndron sepse, nëse ju kujtohet, kur ishte ende shef opozite dhe fliste për korrupsionin, Rama ia linte fajin sistemit, jo njerëzve.

“Merrni një gjerman dhe silleni në Shqipëri dhe ai me kalimin e kohës do tentojë të shkelë ligjin. Kurse shqiptarët në Gjermani zbatojnë ligjet dhe rregullat. Është sistemi”, proklamonte ai.

S’mund të thuash që e kishte gabim. Është sistemi. Pre e të cilit, Rama ra vetë më 3 dhjetor 2021./ GSh

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.