E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama vjell vrer për mediat amerikane: Janë kazanë e Amerikës
Lajme

Rama vjell vrer për mediat amerikane: Janë kazanë e Amerikës

Kryeministri Rama, i cili ka javë të tëra që nuk jep sqarime në Kuvend për takimet e tij me ish-agjentin e FBI-së, McGonigal, ka preferuar të flasë në media.

Rama ishte mbrëmë në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu në “Tv Klan”. Kreu i qeverisë nuk ka ngurruar t’i cilësojë mediat amerikane ‘kazan’, ashtu si më herët ka quajtur mediat shqiptare. Duke folur për shkrimet që kanë mbushur mediat në SHBA mbi çështjen “McGonigal” dhe lidhjen e ish-zyrtarit të FBIsë me të, Rama tha se ka edhe Amerika kazanë.

Megjithatë, nga ana tjetër, ai theksoi se nuk ka Zot në tokë që e blen Amerikën. “Është tabloid ‘New York Post’. Unë merrem me aktakuzën, ke gjë për aktakuzën. Ato janë kazanë të llojit të tyre. Kujton se Amerika nuk ka kazanët e vet?! Ndërkohë që gazeta serioze e referojnë me shumë korrektësi duke u bazuar tek aktakuza. Jam Kryeministri i Shqipërisë dhe patjetër do më përmendin emrin. Sepse emri im figuron në gjithë narrativën e aktakuzës”, tha Rama.

I pyetur nëse keni gisht te shpallja non grata e Berishës, Rama tha se opozita ka ndryshuar objektiv. “Deri dje unë e bëja këtë nëpërmjet Sorosit. Tani iku Sorosi. Tani doli ky, nëpërmjet këtij unë kam kapur sekretarin e shtetit. Sikur SHBAtë të bliheshin dhe të shiteshin, do ishin prej kohësh leckat e fuqive të naftës. Do t’i kishin blerë, do t’i kishin shitur dhe do t’i kishin bërë leckë, gjithë ata trilionerë që janë në shkretëtirat e naftës. Si mund Kryeministri i Shqipërisë, një vend i vogël, të fusë nën kontroll SHBA-të dhe për çfarë për t’i vënë vulën non-grata një të vdekuri që kujton se është gjallë. Sikur Amerika të lobojë kështu, po të them që do ishte bërë leckë për të fshirë këmbët planeti. Po, mo, influenca, po me çfarë, me piktura apo me video erotike. Shqipëria paska potencial që me para, me eros, me piktura, ta marrë Amerikën për hunde dhe DASH, CIA, FBI të punojnë për të. Ku ka Zot në tokë që e blen Amerikën, nuk ekziston”, tha Rama.

TAKIMET

Kreu i qeverisë shtoi se Neza ka qenë i pranishëm edhe në disa takime të tjera mes tyre. Ndërkohë për Dorian Duçkën, Rama pohoi vetëm se ai nuk ka qenë prezent në takimin e parë me McGonigal. “Të marrësh zvarrë njerëzit prej ditësh duke iu thënë që këtu ka shpërthyer një skandal i madh dhe Kryeministri është përfshirë në një aferë korruptive. Ata kanë të drejtë të besojnë që unë jam jo djali i Kristaq Ramës, por djali i Satanait. Këtë të drejtë ta mbajnë për vete.

Nuk kanë shans ta përdorin Parlamentin për ta kthyer në një hapësirë manipulimi dhe propagande ekstreme. Siç gjenden zyrtarët e të gjitha shteteve në zyrën time. Ambasada e SHBA përfaqëson DASH. FBI është tjetër gjë nga DASH. Nuk është aspak zgjedhja dhe detyra ime t’i them të kalojnë përmes ambasadës.

McGonigal e kërkoi takimin. Agron Nezën ma ka prezantuar si miku e bashkëpunëtori i tij. Neza ka qenë prezent edhe në raste të tjera kur kam qenë në McGonigal. Ka pasur rreth 300 të ftuar shqiptarë dhe të ftuar që kishin sjellë të tjerë me vete. Kanë qenë gjithë ata njerëz edhe nga komuniteti shqiptaroamerikan. Nuk kam biseduar asnjëherë vetëm për vetëm me të, me Nezën. Duçka nuk ka qenë në takimin e parë. Më bëni pyetje që nuk kanë asnjë lidhje me aktakuzën”, deklaroi Rama.

MOCIONI

Kreu i qeverisë tha se do të shkojë në Parlament kur ta shohë ai të arsyeshme dhe se ka ndryshuar angazhimin e tij. “Unë e kam thënë më parë se të fillonte kjo zallamahi, që do të jem shumë më i përqendruar te punët e përditshme dhe shumë më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme.

Ndërkohë, dua të them që jam angazhuar me zell të madh dhe zjarr të madh për vite të tëra dhe në atë Parlament, por besoj që padashjen time jam bërë dhe unë pjesë e diçkaje që është një hall i madh dhe një shqetësim i madh për gjithë publikun dhe ndihem dhe bashkëfajtor për këtë gjë. Bashkëfajtor në gjithë atë skenë që është larg së qeni e denjë për ata që na japin besimin. Për këtë unë nuk kam më disponim që të hyj dhe të dal në politikën e përditshme si në fushatë elektorale.

Angazhimi im do jetë krejt i ndryshëm për të shlyer sadopak atë njollë bashkëfajësie për gjithë atë degradim. Unë nuk vendos se si duhet të sillet opozita, por vendos si duhet të sillem vetë. Kur fola për ça fola nuk kisha parasysh fryrjen e bilbilave, në një moment të caktuar në Parlament mund të frysh dhe bilbilin. Kisha parasysh një vijë të gjatë sjelljeje që është në nivelin më të ulët të edukatës të çdo familje në Shqipëri. Unë do shkoj në Parlament kur e shoh unë të arsyeshme. Unë flas me faktin e thjeshtë që më vjen turp dhe më vjen realisht turp që nuk kam mundur të ndikoj në ndryshimin e kësaj situate në Parlament. Është kthyer në situatë zoologjike”, deklaroi Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.