Rama zbythet nga vaksinimi i personaliteteve: Unë zgjidh çdo hall
Ministria e Shëndetësisë ka rishkruar planin kombëtar të vaksinimit. Por njësoj si në variantin e parë, edhe në të dytin nuk ka asnjë rresht për vaksinimin e personaliteteve. Në dokumentin 26 faqe përcaktohet rendi i vaksinimit. Në krye të listës janë vendosur mjekët.
Faza e parë është e dedikuar tërësisht për vaksinimin e personelit shëndetësor, kjo jo vetëm prej nivelit të lartë të riskut, por edhe kufizimit në doza të vaksinave kundër COVID-19. Ndërsa në fazën e dytë, krahas vaksinimit të pjesës tjetër të stafit mjekësor, që po ashtu gjenden në vijën e parë, do të marrin vaksinën edhe personat e moshuar, si edhe ata me probleme të shumta shëndetësore. “Në pjesën e parë do të vaksinohen të gjithë personat që jetojnë në institucione të kujdesit shëndetësor dhe social afatgjatë. Ndërsa në pjesën e dytë do të vaksinohen personat e moshuar, mbi 65 vjeç, duke prioritizuar grupmoshat më të mëdha fillimisht, në bazë të disponibilitetit të vaksinës”, përcaktohet në dokument.
Deri më tani janë siguruar më pak se 10 mijë doza vaksine nga kompania amerikane “Pfizer”. Në skenarin e qeverisë parashikohet që procesi i vaksinimit për 99 për qind të popullatës të përmbyllet brenda një harku kohor prej 14 muajsh. I zbythur nga komentet e tij për vaksinimin e personaliteteve, Rama tha sot se deklaratat e tij janë tjetërsuar dhe për këtë fajin e kanë mediat. Sipas Ramës, ai nuk ka thënë në asnjë rast se personalitetet do të veçohen nga pjesa tjetër e qytetarëve, dhe se të gjithë personat mbi 80 vjeç do të marrin dozën e vaksinës, menjëherë sapo vendi të ketë një sasi më të madhe furnizimi nga Pfizer. “Jo, jo, jo, kjo është një zallamahi që e krijuat ju. Këtu nuk ka asgjë për të diskutuar, nëse ne do të kishim veçuar personalitetet, nga ata që kanë radhën, kjo po që do të hapte një diskutim shumë të fortë.
Kjo nuk ka qenë as në qëllimet tona, as në fjalët e mija, dhe as në realitetin e vaksinimit. Ne jemi në kushtet kur po punojmë ditë natë, dhe këtë e them pa ekzagjëruar, për të siguruar sa më shumë doza vaksinash, pasi 70% e vaksinave janë marrë nga vetëm 10 shtete. Shumë shpejt do të kemi më shumë doza, do iu provoj edhe njëherë se kur bie një hall në këtë vend, ka vetëm një adresë për të kryer hallin, është Edi Rama dhe Partia Socialiste”, deklaroi Rama para gazetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



