Ramës nuk i del inati me opozitën/ Shqipëria ka kry punë me ta …
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me akuzat e opozitës në seancën plenare të kësaj të enjteje, pas publikimit të pjesës së dytë të reportazhit të “Rai3”.
Në një status në rrjetet sociale, Rama thotë se opozita u mor me persona të dënuar apo nën hetim nga drejtësia.
Ai deklaron se këta persona që kanë probleme me drejtësinë u shpallën si heronj pozitivë në një bashkëprodhim italo-shqiptar.
“Cilët ishin autorët e rikthimit kaq të shpejtë në identitet të opozitës sot në parlament?
Një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare;
Një ish-zv.kryeministër i arratisur për t’i ikur drejtësisë;
Një ish-kryeministër në arrest shtëpie me vendim të drejtësisë;
Një ish-prokuror i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për mosjustifikim pasurie;
Një program në RAI3 që i shfaqi të lartpërmendurit si heronj pozitivë të një bashkëprodhimi italo-shqiptar, me baltë të eksportuar në Itali nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës.
Vesi del me shpirtin, por shpirtit të së keqes që po del me të çjerra nga jeta e këtij vendi pasi e persekutoi këtë vend qysh prej vitit 1912, kjo lojë balte e rradhës me emrin e Shqipërisë i duhet futur në llogaritë që do të bëhen në zgjedhjet e afërta.
Mos i falni më, duhen shkatërruar përfundimisht me votë! Shqipëria ka kry punë me ta dhe nuk ndalet dot më nga askush”, thekson kreu i qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



