Raporti i ODIHR “kundër” KQZ dhe Kolegjit: Kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit e vendos vetëm…
Në raportin me përfundimet paraprake për votimet e 30 qershorit, në faqen 4 të tij OSBE flet edhe për dekretet e presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar datën e parë për zgjedhjet lokale dhe më pas nxjerrjen e një tjetër dekreti ku zgjedhjet përcaktoheshin më 13 tetor.
Sipas OSBE-së, Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ që mund të vendosë në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të presidentit.
“Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”, thuhet në raport.
Ndërkohë që për 30 qershorin, dekretin e Presidentit e ka quajtur si të nul KQZ-ja dhe më pas e ka goditur indirekt Kolegji Zgjedhor.
KUADRI LIGJOR DHE SISTEMI ZGJEDHOR
Kuadri ligjor për zgjedhjet përfshin Kushtetutën e 1998-ës (ndryshuar për herë të fundit më 2016-ën), Kodin Zgjedhor të 2008-ës (ndryshuar për herë të fundit më 2015-ën), si dhe ligje të tjera, plotësuar nga aktet nënligjore të KQZ-së dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës (Kolegji Zgjedhor).
Një proces i reformës zgjedhore i nisur pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës mbeti pezull për shkak të mungesës së dakordësisë politike. Disa rekomandime të hershme të ODIHR-it mbeten të paadresuara, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Kuadri ligjor për zgjedhjet, kryesisht i pandryshuar që prej zgjedhjeve të fundit, mund të përbënte përgjithësisht një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike. Megjithatë, mungesa e qartësisë së disa dispozitave çoi në perceptim njëanësish në zbatimin e tyre nga KQZ-ja. Aktorët zgjedhorë nuk demonstruan gjithmonë vullnet politik për të zbatuar si duhet dispozitat ligjore, duke përfshirë rastet e emërimit të anëtarëve në komisionet zgjedhore dhe regjistrimit të kandidatëve.
Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit.
Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një mandat katër-vjeçar. Kryetarët e bashkive zgjidhen përmes një sistemi mazhoritar, kurse këshilltarët zgjidhen nga lista të mbyllura sipas një sistemi proporcional. Territoret e bashkive përfaqësojnë zonat zgjedhore për zgjedhjet vendore. Për t’u kualifikuar për mandate në këshillat bashkiake, partitë duhet të tejkalojnë një prag prej tre për qind të votave të hedhura në bashkinë përkatëse (pesë për qind në rastin e koalicioneve). Legjislacioni nuk përmban ndonjë kërkesë për pjesëmarrje minimale të zgjedhësve. Në total, do të duhet të zgjidheshin 61 kryetarë bashkie dhe 1,595 anëtarë të këshillave bashkiakë në shkallë vendi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




