Rasti ‘PSD’ i Tom Doshit, ISP: KQZ-ja duhet të bënte një hetim më të thellë
Për ta formalizuar zgjedhjen PSD lajmëron zhvillimin e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PSD më 4 janar 2020.
Dokumentacioni i Kongresit është i shoqëruar me firmat e 173 delegatëve të Kongresit, kur është i njohur fakti se ligjërisht ndalohen aktivitetet politike me më shumë se 10 persona, se nuk ka pasur ndonjë raportim viziv nga media dhe se nëse Kongresi do të kishte qenë online, ky “detaj” do të ishte pasqyruar në procesverbalin e Kongresit dhe teknikisht do të kishte qenë e pamundur që delegatët të firmosnin dokumentin e prezencës së tyre. Sipas procesverbalit zyrtar që kjo parti ka depozituar në Gjykatën e Faktit Tiranë, PSD e bëri Kongresin e Jashtëzakonshëm më 4 janar 2021 dhe me 168 vota pro dhe 5 vota të pavlefshme, shpalli z.Doshi kryetar të PSD-së. Kjo është zgjedhje e pavarur politike e saj, por në traditat e partive socialdemokrate Shqipëria mund të jetë rast unikal studimor, si një vend ku kryetar i një force politike përfaqësuese të shtresës së majtë në nevojë dhe asaj të mesme, zgjidhet një prej biznesmenëve më të pasur në vend dhe natyrisht, më i pasuri në parlamentin e tri legjislaturave të fundit. Nga ana tjeter, PSD në statutin e saj, neni 14, pika d, ndalon anëtarësimin në këtë parti të individëve që “nëpërkëmbin të drejtat e njeriut dhe personat e korruptuar”.
Më datë 9 shkurt 2021 PSD me firmën e kryetarit të ri Doshi paraqiti në KQZ kërkesën për regjistrimin e PSD-së si subjekt zgjedhor. KQZ kërkoi informacion shtesë nga PSD dhe tre ditë më vonë, më 12 shkurt 2021 PSD me firmën e kryetarit të “vjetër” Bejtja KQZ informohet se Gjykata e Tiranës me datë 27 janar 2021 ka zgjedhur kryetarin e ri të Partisë. Fakti që ish kryetari Bejtja firmos si kryetar i PSD më 12 shkurt, ndërkohë që ai është larguar nga posti më 21 dhjetor dhe PSD, datë kur KDK ka kooptuar kryetar të ri për PSD, paraqet një nons sens juridik. Bejtja nuk ishte kryetar dhe as ushtrues i funksionit të kryetarit më 12 shkurt 2021, kur komunikoi zyrtarisht me KQZ, shkresë mbi të cilën KQZ vendosi regjistrimin e PSD në zgjedhje me emrin e kryetarit të ri. Shkresa duhej firmosur ose nga Sekretari i Përgjithshëm ose nga kryetari i zgjedhur, por jo nga një zyrtar, i cili prej 45 ditësh nuk mbante më funksion drejtues në PSD dhe natyrisht, nuk ishte kryetar as de facto dhe as de juro i PSD-së.
Në vendimin nr.77/2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve thuhet se “Partia Socialdemokrate, me shkronja nistore “PSD”, nëpërmjet Kryetarit të saj, z. Engjëll Bejtja, ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin që do të zhvillohen më datë 25 Prill 2021, administruar me nr. 1040 prot., datë 09.02.2021, nr.1131/1 prot., datë 12.02.2021 dhe nr.1041/1prot., datë 13.02.2021” dhe mbi këtë bazë, bëhet regjistrimi i saj si subjekt zgjedhor. Në fakt, PSD me 21 dhjetor 2020, me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm Gezim Musabelli dhe të kryetarit Bejtja, kishte kërkuar nga Gjykata depozitimin e akteve, sipas të cilave, kryetar i ri i PSD ishte z.Doshi.
Fakti që pas rreth 50 ditësh ende gjykata nuk kishte vendosur reflektimin e ndryshimeve të PSD, dhe për pasojë, KQZ merr të mirëqenë gjendjen formale juridike të PSD, ndërkohë që më 9 shkurt ai kishte pranuar një shkresë tjetër në emër të PSD me një kryetar tjetër, – së paku duhej të ishte indice për një hetim më të thelluar dhe verifikim administrativ të dokumentacionit. KQZ nuk ka dhënë informacion publik nëse ka kryer proces tjetër verifikimi dhe nëse ka ndjekur të njëjtën praktikë edhe në raste të tjera të ngjashme. Një tjetër parti (FRD) ndryshoi kryetarin më 25 shkurt, pas regjistrimit në KQZ si subjekt më 22 shkurt 2021. KQZ e përfshiu FRD-në me emrin e kryetarit tashmë të larguar edhe në vendimin 107 për koalicionin opozitar marrë më 3 mars 2021. Edhe në këtë rast vendimi i Gjykatës për kryetarin e ri do të kërkojë kohë shtesë përtej datës 8-9 mars dhe mbetet të shihet sesi KQZ do e reflektojë atë në dokumentacionin zgjedhor. Kjo çeshtje nuk lidhet me dekriminalizimin, por me standardet e punës, normat dhe frymën e integritetit dhe legjitimitetit që duhet të demonstrojë KQZ.
Prej vitit 2018, por sidomos gjatë 6 muajve të fundit ambasada e SHBA është investuar në një retorikë paralajmëruese për të ndaluar kandidimin dhe hyrjen në parlament të deputetëve me rekorde kriminale apo korruptive, duke cituar shprehimisht disa herë edhe vendimin e DASH mbi rastin “Doshi”. BE gjithashtu e ka ngritur problematikën e dekrimizalimit dhe nevojës për kandidatë me integritet në mënyrë të vazhdueshme. Debati midis zbatimit formal apo substancial të ligjit të dekriminalizimit është kthyer në debat politik midis partive kryesore, midis ambasadës së SHBA e kryeministrit Rama, si dhe midis medias, shoqërisë civile dhe KQZ.
Njësimi i praktikave vendimmarrëse, zbatimi integral i dekriminalizimit, rritja e cilësisë së përfaqësimit dhe transparencës së partive, reformimi tërësor i database dhe dokumentacionit që partitë duhet të depozitojnë në Regjistrin e Partive Politike në Gjykatën e Faktit Tiranë, si dhe reformimi i legjislacionit dhe strukturës mbështetëse për partitë politike në Shqipëri, duhet të jenë përgjegjësi e partive kryesore, Kuvendit dhe e legjislacionit të ardhshëm mbi partitë politike. KQZ gjithashtu ka një rol specifik në disa prej këtyre aspekteve.
Instituti i Studimeve Politike (ISP), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta është duke zbatuar projektin mbi dekriminalizimin: “Për politikë e politikanë të pastër” si dhe me mbështetjen e programit amerikan NED (National Endowment for Democracy) është duke zbatuar nismën “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur: zgjedhjet 2021”. Nismat konsistojnë edhe në monitorimin e proceseve zgjedhore në partitë politike dhe në atë të zgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2021.
Stafi monitorues
Instituti i Studimeve Politike (ISP)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



