Reagim i fortë i Pacollit: “Pabesia nuk do të mbetet pa pasoja”
Ish-presidenti dhe biznesmeni i njohur kosovar Behgjet Pacolli ka publikuar një reagim të gjatë emocional dhe akuzues, ku flet për një tradhti të rëndë nga një person të cilit, sipas tij, i kishte besuar për më shumë se dy dekada. Në deklaratën e tij, Pacolli paralajmëron publikimin e fakteve dhe nisjen e proceseve gjyqësore në disa shtete, ndërsa bën thirrje për kujdes dhe vigjilencë në raportet e besimit mes bashkëpunëtorëve.
Më poshtë, statusi i plotë i tij:
Behgjet Pacolli
Gjëja më e shëmtuar është momenti kur njeriu përballet me faktet e pabesisë nga “njeriu” të cilit i kisha besuar pa masë, për më shumë se 20 vite.
Ndërkohë që çdo ditë po dalin fakte të reja, kjo pabesi nuk ishte ndalur vetëm te mashtrimet apo falsifikimi i dokumenteve, por përfshinte edhe tentativa poshtërimi, vjedhje, përbuzje të sofrës, gënjeshtra, intriga, tërheqjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këto akte kriminale dhe shumë veprime të tjera të ulëta. As këto nuk i kishin mjaftuar. Ai, duke mos pasur fytyrë të përballet me atë që kishte bërë, kishte vazhduar më tej, duke tentuar të rrënojë gjithçka që kam ndërtuar gjatë gjithë kohës së punës sime – respektin ndaj njerëzve, moralin dhe pronën.
Faktet e këtyre pabesive, të ndërtuara me vite me radhë, do t’i publikoj një nga një, me emra dhe data, sapo të fillojë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emirate dhe Libi – aty ku janë konsumuar.
Këto veprime janë aq të rënda, sa kam filluar t’i përmbledh faktet edhe në një libër, të cilin do ta promovoj gjerë e gjatë.
Me këtë synohen dy qëllime kryesore:
Së pari, të rritet vetëdija se pabesia është një akt i shëmtuar dhe nuk mund të kalojë pa pasoja.
Së dyti, për ata që mund të gjenden në një situatë të ngjashme me timen: besimi te njerëzit, sidomos te bashkëpunëtorët, është normal, por kontrolli është i domosdoshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


