Reagimi propagandistik i Ramës për zjarrin që po përpinin vendin
Prej një jave Shqipëria digjet dhe qeveria hesht, ndërsa kryeministri Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet debatit publik jo me veprime, por me krahasime qesharake: “zjarre ka edhe në Greqi, Turqi, Itali…”. Justifikimi i tij është tipik për stilin “alla Spiropali” – krahasime të pakrahasueshme, që synojnë të zhvendosin vëmendjen nga përgjegjësia direkte e shtetit shqiptar.
E vërteta është se zjarret në Shqipëri janë të menaxhueshme nëse do të kishte mjetet dhe ndërhyrjen e duhur në kohë. Në Delvinë dhe Gramsh, vatrat kanë qenë aktive për javë të tëra para se të shpërthenin në katastrofa, duke djegur fshatra dhe rrezikuar qytete të tëra. Një avion zjarrfikës kushton rreth 30 milionë dollarë – një shumë që, nëse Shqipëria nuk do të drejtohej nga një bandë plaçkitëse, do të mjaftonte për të ndërtuar një flotë të plotë dhe për të pajisur zjarrfikësit me mjete moderne, në vend të lopatave e shkurreve.
Rama pranon se vendet e tjera kanë dhjetëra avionë, por përdor këtë fakt për të thënë se edhe ata digjen. Dallimi është se ata i përdorin, i shtojnë çdo vit, dhe veprojnë në kohë. Vetëm Greqia ka blerë 25 të rinj këtë vit. Në Shqipëri, “flota ajrore” ekziston vetëm në konferenca për shtyp, ndërsa ndihma nga jashtë vjen vetëm kur fqinjët nuk janë vetë nën zjarr.
Të thuash “më shumë avionë nuk i zhdukin shkaqet” është një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë për mosveprim. Shkaqet mund të jenë komplekse, por mosveprimi është i thjeshtë për t’u identifikuar: ka një autor dhe ai është qeveria. Dhe kur vendi digjet si letër, krahasimet e kryeministrit janë jo vetëm të pavend, por edhe fyerje për qytetarët që humbasin shtëpitë, pyjet dhe jetën e tyre.
Më poshtë reagimi i Ramës:
Reagimi fyes për shqiptarët i Ramës:
Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




