Reagon Dritan Leli: Përgjigjet këshilltarëve u kanë shkuar me e-mail
Ai ka ndarë pjesë nga mbledhja në rrjetet sociale, ku thekson se pavarësisht se këshilltarët bashkiak munguan, përgjigjet për pyetjet e tyre u kanë shkuar në adresat elektronike.
“Dua t’ju bej me dije se pavarësisht mosparaqitjes së këshilltarëve bashkiak në mbledhjen e sotshme online, gjithë çfarë kërkuan të dinin në emër të ankesave të banorëve të Vlorës, u ka shkuar në adresat e tyre elektronike. Të gjitha drejtoritë e Bashkisë Vlorë janë përgjigjur me përgjegjshmëri për punët që kanë kryer, njësoj siç do të veprojnë dhe sigurisht, të përmirësohen, në vazhdim!”, shkruan Dritan Leli.

****
(10:43) Kryebashkiaku i Vlorës nuk paraqitet në mbledhje. Thirrja e këshilltarëve: Pretendimet e Dritan Lelit, qesharake! Ka humbur mbështetje e PS, do marrim në dorë…
Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Vlorë ka dështuar, pasi Leli nuk eshte paraqitur. Ai kërkoi që mbledhja të zhvillohej online, ndërsa këshilltarët u paraqitën në teatrin “Petro Marko” në mënyrë që mbledhja të zhvillohej fizikisht, por ky institucion ishte i mbyllur.
Kreu i Këshilltarëve, Anduel Tahiraj në një komunikim për gazetarët tha se pretendimi i kryebashkiakut Leli, se mbledhja është kundër rregullave anti-Covid nuk qëndron, pasi sot hyn në fuqi vendimi i Komitetit të Ekspertëve, ku lejohet grumbullimi deri në 50 persona.
“Siç jeni në dijeni në datën 1 qershor, 45 këshilltarë kërkuan një mbledhje jashtë radhe me temë, komunikimin me kryetarin e bashkisë sa i takon problematikave në qytet. Kryetari i bashkisë nëpërmjet një shkrese refuzoi pjesëmarrjen, me pretendimin e masave antiCovid.
Ky është një pretendim qesharak, sepse ky kryetar pak ditë më parë, po i njëjti kryetar i dha leje PD që të zhvillojë mbledhje në këtë sallë, jo vetëm të mbushur, por duke mos respektuar masat anti-Covid.
Sot hyn në fuqi, vendimi që numri i pjesëmarrësve nëpër takime të jetë 50 persona. Ne në rrugë partiake dhe institucionale i kemi shprehur shqetësimet, duke i kërkuar edhe të reflektojë për qytetin”.
PO KUSH ESHTE QELLIMI I MBLEDHJES?
“Qëllimi i kësaj mbledhje është që ne si përfaqësues të Vlorës kemi përgjegjësinë morale dhe institucionale që ti zgjidhim problemet e tyre. Kryetari i Bashkisë e ka humbur mbështetjen e PS dhe besimin e qytetarëve.
Kjo na ka bërë që ne si këshilltarë të marrim në dorë fatet e qytetit duke ushtruar të gjitha të drejtat që na jep ligji për të ndihmuar dhe ushtruar presion, që ato çka në Vlorë nuk po bëhen, punët publike në Vlorë duhet të jenë në nivelin e investimeve”, u shpreh kreu i këshillit.
LUFTË POLITIKE?
I pyetur nëse kjo është një luftë politike, Tahiraj tha: “Ne prej shumë kohësh kemi kërkuar që kryetari i bashkisë të reflektojë për shumë punë që mund të bëhen më mirë. Sot jemi përballë një ballafaqimi, për shkak se nuk kemi pasur një reagim dhe reflektim nga puna e tij”.

REFUZIMI I DRITAN LELIT
Në shkresën e firmosur nga vetë kreu i Bashkisë së Vlorës thuhet se mbledhja e thirrur për sot është në kundërshtim me ligjin për rregullat anti-Covid, duke i kujtuar edhe gjobën prej 5 milionë lekësh.
“Me veprimet e mësipërme, ju si organizatorë të kësaj mbledhje, jeni duke shkelur ligjin 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ku jemi të detyruar të sjellim në vëmendjen tuaj se bazuar në nenin 3 pika 2 të aktit normativ nr.3/2020, subjektet apo individët që organizojnë ndër të tjera dëgjesa publike dënohen me gjobë në masën 5.000.000 lekë”.
Sipas Lelit, mbledhja e parashikuar për ditën e sotme do të zhvillohet online, por kjo deshtoi.
“Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, shprehet Leli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



