Realiteti që ‘përvëlon’ demokracinë, pse Kosova lëviz dhe Shqipëria jo
Ka mënyra të shumta për të matur sa demokratik është një sistem politik dhe sa real është përfaqësimi që ai prodhon. Zakonisht përdoren indekse të ndërlikuara, krahasime statistikore dhe analiza teknike. Por nganjëherë mjafton një ushtrim shumë i thjeshtë për të nxjerrë në pah thelbin.
Le të marrim një shembull konkret: një i ri shqiptar, i lindur në vitin 2008 – viti kur Kosova shpalli pavarësinë dhe u rreshtua si shtet i barabartë me Republikën e Shqipërisë. Ai ka prindër nga të dyja anët e kufirit dhe, rrjedhimisht, mban dy shtetësi. Pyetja është elementare: sa kryeministra kanë ndikuar realisht në jetën e tij gjatë 18 viteve të para?
Janë po aq vite sa edhe dy realitete politike të ndryshme.
Në Republikën e Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe, pushteti ekzekutiv ka kaluar vetëm nga dy figura. Sali Berisha drejtoi qeverinë nga viti 2008 deri në shtator 2013, si përfaqësues i Partisë Demokratike. Pas tij, që nga shtatori 2013 e deri në janar 2026, në krye të qeverisë qëndron Edi Rama, i Partisë Socialiste.
Ndërkohë, në Republikën e Kosovës, panorama është krejt tjetër. Që nga viti 2008 e këtej, vendi ka njohur një rotacion të shpeshtë qeverisës: Hashim Thaçi (2008–2014), Isa Mustafa (2014–2017), Ramush Haradinaj (2017–2020), Albin Kurti (shkurt–qershor 2020), Avdullah Hoti (2020–2021) dhe sërish Albin Kurti nga marsi 2021 deri sot. Pesë kryeministra, të dalë nga tri forca politike të ndryshme.

Pra, i njëjti qytetar 18-vjeçar numëron në Kosovë një pluralizëm real pushteti dhe alternance politike, ndërsa në Shqipëri vetëm dy kryeministra, me një prej tyre që ka konsoliduar pushtetin për më shumë se një dekadë.
Nuk është e vështirë të kuptohet pse, në momentin që fiton të drejtën e votës, ai ndien se Kosova i ofron më shumë mundësi zgjedhjeje, më shumë zë dhe më shumë hapësirë për t’u përfaqësuar. Jo domosdoshmërisht sepse çdo qeveri ka qenë më e mirë, por sepse sistemi i ka lejuar ndryshimet.
Në Shqipëri, ajo që shpesh paraqitet si stabilitet politik, në realitet i ngjan më shumë një ngurtësimi që mbyt alternativat. Në një shoqëri që ndryshon shpejt dhe ku brezat kërkojnë përfaqësim të ri, sistemi politik dhe zgjedhor nuk prodhon më konkurrencë reale. Zgjedhja ekziston formalisht, por jo thelbësisht.
Në Kosovë, edhe kur mekanizmat politikë janë keqpërdorur për rrëzime qeverish apo bllokime institucionale, votuesi ka pasur mundësinë të reagojë, të korrigjojë vendimin e vet dhe të ndikojë drejtpërdrejt në përbërjen e qeverisë.
Pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor: sot, Kosova funksionon me një arkitekturë zgjedhore më dinamike, më të hapur dhe më përfaqësuese sesa Republika e Shqipërisë. Dhe këtë nuk e tregojnë vetëm analizat teorike, por edhe një llogari e thjeshtë, njerëzore: sa herë ka ndryshuar pushteti në jetën e një qytetari të ri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



