E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Reforma në Drejtësi  e dështuar
Politikë

Reforma në Drejtësi e dështuar

Reforma në Drejtësi duket se nuk u ka sjellë shqiptarëve ende drejtësinë e premtuar. Kolegji i Lartë Gjyqësor ka paraqitur pranë Kuvendit të Shqipërisë raportin vjetor, ku të dhënat statistikore për vendimet e dhëna dhe vendimet e mbartura tregojnë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri vijon të jetë me probleme.

KLGJ gjate nje mbledhjeje

KLGJ gjate nje mbledhjeje

Sipas raportit, në vitin 2018 janë rritur me 10% çështjet e mbartura. Situata duket më e rënduar në analizën e bërë nga KLGJ-ja, e cila merr në shqyrtim të dhënat statistikore që nga viti 2017. “Duke iu referuar të dhënave statistikore të vitit 2018, të raportuara nga gjykatat mbi numrin e çështjeve gjyqësore të regjistruara në vitin 2018 (penale/ civile), numrin e çështjeve të mbartura nga viti 2017, numrin e çështjeve të përfunduara në vitin 2018, numrin e kërkesave për delegim, numrin e çështjeve të klasifikuara si kërkesa penale apo si kërkesa civile, kohën e nevojshme për përfundimin e çështjeve, koeficientin e shpejtësisë së gjykimit, si dhe numrin e çështjeve të mbartura për vitin 2019, rezultojnë treguesit e mëposhtëm: i) Në total, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 147,423 çështje dhe 68,982 janë mbartur nga 2017.

Ndërkohë, në fundin e vitit 2018, numri i çështjeve të mbartura është 75,803. Nga të dhënat konstatohet që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ajo Vlorë dhe Shkodër, për sa u përket gjykatave të shkallës së parë, kanë fluksin më të madh të çështjeve. Nga gjykatat e apelit fluksin kryesor të regjistrimit të çështjeve e ka Gjykata e Apelit Tiranë dhe ajo Vlorë. Sa u përket gjykatave administrative, vihet re që numri më i madh i çështjeve është riregjistruar sërish në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe atë të Apelit Administrativ”, thuhet në raport.

KLGJ e pranon vetë në raportin e depozituar në Kuvend se eficienca e gjyqësorit në Shqipëri ka ardhur në përkeqësim. “Krahasimi mes numrit të çështjeve të mbartura nga viti 2017 në vitin 2018 (68,982 çështje) dhe nga viti 2018 në vitin 2019 (75,803 çështje) tregon se pavarësisht faktorëve që ndikojnë, eficienca e gjyqësorit në vitin e fundit (2018) pasqyron përkeqësim (raporti i evadimit të çështjeve është në rendin e 91%) sepse është rritur backlog-u (numri i çështjeve të pashqyrtuara) në shkallë vendi, rrjedhimisht edhe koha e nevojshme për trajtimin e çështjeve.

Ashtu siç u theksua më lart, për të bërë një vlerësim të treguesit se sa gjykata të ndryshme janë në gjendje të përballen me fluksin e regjistrimit të çështjeve në zonat e veta të përgjegjësisë, është marrë në shqyrtim ndryshimi i gjendjes së çështjeve të mbartura në vitin 2018 dhe atyre të mbartura në vitin 2019. Në një paraqitje grafike të ndryshimit të backlog-ut (numri i çështjeve të pashqyrtuara) të çështjeve vihet re që disa gjykata e kanë ulur stokun e çështjeve të prapambetura në vitin 2019, në krahasim me vitin 2018.

Megjithatë, në shkallë vendi vihet re një rritje me rreth 10% e stokut të çështjeve të patrajtuara brenda vitit të regjistrimit fillestar. Siç vihet re nga ky grafik, ka gjykata që e kanë ulur stokun e çështjeve të mbartura në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018, si: Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, Pogradec, Pukë, Gjykata e Apelit Vlorë etj.. Ndërsa gjykata të tjera e kanë rritur këtë tregues, si: Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, Dibër, Durrës, Mat, Përmet, Shkodër etj”., thuhet në raportin e KLGJ-së.

ÇËSHTJET E MBARTURA NË GJYKATAT KRYESORE TË VENDIT PËR VITIN 2019

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, 6709 çështje të mbartura;
Gjykata e Apelit Tiranë, 8271 çështje të mbartura;
Gjykata e Apelit Administrativ, 12217 çështje të mbartura;
Gjykata e Lartë, 28863 çështje të mbartura;
Gjykata e Shkallës së parë Fier, 1058 çështje të mbartura;
Gjykata e Shkallës së parë Elbasan, 1189 çështje të mbartura;
Gjykata e Shkallës së parë Durrës, 1230 çështje të mbartura;
Gjykata e Shkallës së parë Shkodër, 1263 çështje të mbartura;
Gjykata për Krimet e Rënda, 78 çështje të mbartura;
Gjykata e Apelit Vlorë, 1878 çështje të mbartura;
Gjykata e Apelit Shkodër, 1383 çështje të mbartura;
Gjykata e Apelit Durrës, 1340 çështje të mbartura;
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, 34 çështje të mbartura

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.