Refuzoi firmën për skemën 140 milionë € të Dubait, Rama shkarkon Hodajn
Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra zëvendësministrin e Brendshëm, Juljan Hodaj, në një lëvizje të papritur që përkon me kulmin e debatit për projektin e shumëdiskutuar “Smart City”, një kontratë prej 140 milionë dollarësh që pritet t’i jepet një kompanie nga Abu Dhabi pa asnjë garë.
Burime të brendshme bëjnë me dije se vendimi për shkarkimin vjen pas përplasjeve të forta brenda qeverisë, ku Hodaj rezulton të ketë qenë një nga zyrtarët që refuzoi të nënshkruante dokumentet teknike të projektit, duke kërkuar oponencë të studimit të fizibilitetit—një hap i domosdoshëm kur bëhet fjalë për kontrata mbi 100 milionë euro.
Telefonata e Ramës nga Roma dhe presioni për firmën
Në pranverë, Rama u filmua në rrugët e Romës duke bërtitur në telefon. Më vonë u konfirmua se telefonata ishte drejtuar pikërisht Juljan Hodajt dhe shefit të IT-së në Policinë e Shtetit—dy drejtuesit e grupit të punës që po negocionin marrëveshjen me kompaninë Presight AI Ltd nga Abu Dhabi.
Sipas burimeve, Rama ka reaguar ashpër ndaj hezitimit të grupit për të firmosur pa oponencë teknike, duke thënë:
“Çfarë oponence bëni ju? Na keni kthyer një vit mbrapa!”
Skema 140 milionë dollarëshe: borxh që i kthehet borxhxhiut
Projektligji i miratuar në Parlament në mars parashikon një kredi prej 118 milionë dollarësh nga Fondi i Abu Dhabit. Por këto para nuk do të investohen në Shqipëri—do të shkojnë direkt për të paguar kompaninë nga e njëjta Emiratë, që do të ndërtojë sistemin e kamerave në 20 qytete.
Me TVSH, vlera totale shkon 140 milionë dollarë, pa tender, pa konkurencë, me marrëveshje të drejtpërdrejtë.
Në praktikë, është një skemë ku qeveria merr borxh nga “furnizuesi” vetëm që t’i paguajë sërish atij, ndërsa qytetarët mbeten të vetmit që duhet ta shlyejnë kredinë.
“Patatja e nxehtë” që askush nuk pranonte ta firmoste
Grupi i punës, i drejtuar nga Hodaj dhe drejtori i IT-së së Policisë së Shtetit, kërkoi të verifikonte fizibilitetin para firmosjes. Por hezitimi i tyre, sipas burimeve, u interpretua nga Rama si “vonesë” e qëllimshme.
Rezultati? Shkarkimi i Juljan Hodajt.
Lëvizja shihet si një sinjal presioni ndaj çdo zyrtari që ngurron të marrë përgjegjësi mbi kontrata me vlerë kolosale dhe pa transparencë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



