E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rekord i ri në Tiranë, Shkëlzen Beshiri ngre përbindëshin 67-katësh
Flash

Rekord i ri në Tiranë, Shkëlzen Beshiri ngre përbindëshin 67-katësh

Biznesmeni Shkëlzen Beshiri pritet të ngrejë shumë shpejt rekordet e ndërtimit në Tiranë, pasi projekti i tij parashikon ngritjen e një ndërtese gjigante me 67 kate mbi nivelin e tokës dhe 6 kate të tjera nëntokësore. Kjo është kulla më e lartë për të cilën Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë deri sot miratim zyrtar.

I njohur prej vitesh në kryeqytet, fillimisht për aktivitetin e tij në kafenenë “Segafredo”, Beshiri gradualisht hyri në tregun e pasurive të paluajtshme. Me hovin e ndërtimit në Tiranë dhe në zonat bregdetare, kompania e tij u shndërrua nga një subjekt që tregtonte prona në një kompani që zhvillon vetë projekte të mëdha ndërtimi.

Sipas vendimit të miratuar nga KKT-ja, e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, leja i është dhënë projektit të quajtur: “Godinë banimi, shërbimesh dhe hotelerie me 1, 2, 3, 33, 34, 59, 60, 62 dhe 67 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë”, e planifikuar në zonën e “Bulevardit të Ri”, me zhvillues shoqërinë “Klar” sh.p.k.

Kompania e Beshirit thekson se ka mbi 20 vite që operon në sektorin e ndërtimit, duke krijuar një emër të qëndrueshëm dhe një pozicion të rëndësishëm në tregun shqiptar të real estate-it.

“Klar” sh.p.k, e cila iu bashkua biznesmenit në vitin 2008, ka nisur fillimisht me aktivitet në fushën e pasurive të paluajtshme, tregtimin e kafesë dhe import–eksportin e artikujve ushqimorë e industrialë. Më 2013 kompania formalizoi zgjerimin drejt sektorit të ndërtimit, duke e përfshirë si objekt të ri të aktivitetit.

Pas më shumë se një dekade në këtë fushë, Shkëlzen Beshiri arrin sot të marrë dritën jeshile për projektin që pritet të bëhet kulmi i skyline-it të Tiranës: kulla 67-katëshe, e cila e tejkalon edhe projektin e Agron Papulit, i cili ka një leje për një ndërtesë 58-katëshe që ende nuk ka nisur të ngrihet.

Nëse projekte të tjera nuk e sfidojnë këtë lartësi në të ardhmen, dhe nëse ndërtimi përfundon sipas planit, Shkëlzen Beshiri – dikur i njohur thjesht si “Shkëlzeni i Segafredos” – do të mbajë rekordin e kullës më të lartë në kryeqytet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.