E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rektori Koni kërkon para nga Ministria e Arsimit. Ja “molla” e re e sherrit
Lajme

Rektori Koni kërkon para nga Ministria e Arsimit. Ja “molla” e re e sherrit

 Vetëm pak ditë pas rikthimit në detyrë, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, është vënë në veprim duke nisur “hakmarrjen” ndaj Ministrisë së Arsimit.

koni

Ai ka mbledhur Senatin Akademik për të votuar një sërë vendimesh të rëndësishme për universitetin, midis së cilave edhe nisjen e procesit të akreditimit të programeve të studimit. Rektori shprehet i gatshëm të vërë në punë gjithë burimet e duhura njerëzore, akademike e administrative për të kryer procesin. Por kur vjen puna për anën financiare, i kërkon Ministrisë së Arsimit të përgjigjet.

“Senati i UT vendosi të fillojë akreditimin periodik të programeve mësimore të ciklit të parë dhe ciklit të dytë të studimit të Universitetit të Tiranës. T’i kërkojë Ministrisë së Arsimit, në kuadër të rritjes së financimit për arsimit e lartë, mbulimin e fondeve në detyrim të ASCAL nga buxheti i shtetit”, citohet në vendimin e firmosur nga Koni. Ka qenë vetë rektori që ka bërë publik vendimin e marrë, duke e komunikuar vullnetin dhe angazhimin e tij për t’iu përgjigjur ligjit, por pa dhënë asnjë kontribut financiar, të caktuar me vendim qeverie për mbulimin e procesit. “Universiteti i Tiranës është angazhuar për sigurimin e cilësisë në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij mësimore dhe shkencore. Sigurimi i cilësisë është një nga sfidat më të mëdha që UT ka në vizionin e tij për të pasur një diplomë sa më të kërkuar në treg.

Ky proces i rëndësishëm do të realizohet me angazhimin e plotë të personelit akademik, përgjegjësve të departamenteve, dekanëve të fakulteteve, strukturave për sigurimin e cilësisë në nivel rektorati dhe dekanati. Gjithashtu, në mbështetje të këtij procesi është personeli administrativ i Universitetit të Tiranës”, citohet në shkrimin e Konit, ndarë në rrjetet sociale.

Akreditimi sapo ka shpërfaqur “luftën e ftohtë” të zhvilluar prej kohësh midis rektorit të universitetit më të madh në vend dhe Ministrisë së Arsimit. Kujtojmë që në ditën e parë që shkeli në rektorat pas dekretit të Presidentit Ilir Meta, Koni shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Besa Shahinin kundrejt tentativës së kësaj të fundit për ta shkarkuar atë. Në letrat argumentuese të nisura në Kryeministri, të dyja palët drejtojnë gishtin e akuzës nga njëri-tjetri si shkelës të ligjit.

KOSTOJA

Një ndër arsyet përse universitetet po e shtyjnë pambarimisht procesin e akreditimit të programeve është edhe barra financiare. Sipas vendimit, 15.02.2017, për funksionimin e agjencisë së sigurimit të cilësisë për një program Bachelor, universiteti i detyrohet agjencisë një tarifë prej 265.585 lekësh, ndërsa për Master Shkencor shuma është thuajse 2- fish më e lartë, 428.844 lekë.

Vetëm në ciklin e parë të studimeve, Universiteti i Tiranës ofron 36 programe studimi, ndërsa në ciklin e dytë Master 108 degë. Sipas udhëzuesit të ASCAL, universiteti duhet të bëjë pagesën dy javë pas aplikimit. Pikërisht këtë detyrim, që me ligj i takon UT-së, titullari kërkon që t’i mbulohet nga MAS “në kuadër të rritjes së financimit për arsimin e lartë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.