Republika e Re… e Ramës
AKIL KRAJA
Transmetim drejtpërsë drejti të mbledhjeve të grupit parlamentar, tur kombëtar bashkëbisedimi me qytetarët, mbledhje të Këshillit të Ministrave një herë në muaj në rrethe, numër tejet të ulët të ministrive, artikulim masiv i togfjalëshave “republika e qytetarit” apo “qytetari i pari” që shkojnë deri në linçime publike “në emër të qytetarit”… Gjithçka në aktualitetin politik të qeverisjes ramiste na çon të mendojmë që kemi të bëjmë me një “Republikë të Re”.
Dhe natyrshëm lind pyetja, për çfarë i nevojitet Ramës “kidnappimi” i leitmotivit elektoral të kundërshtarit të tij politik? Me një shumicë tejet solide prej 74 deputetësh në Parlament, çfarë arsyesh ka Rama që të investojë kaq shumë energji, ide e burime në zbatimin e ngutshëm të një Republike të Re? Më thjesht akoma, çfarë është “Republika e Re” e Ramës? Përgjigjja gjendet në ADN-në e Partisë Socialiste dhe në sensin që ajo i jep demokracisë. Republika e Re është një vizion, një projekt, një nismë afatgjatë ligjore, socio-ekonomike dhe administrative, është një kulturë e re demokratike në përfshirjen e qytetarit sovran në vendimmarrjen publike.
Republika e Re është një nga ato momente të pakta shtetformuese që mund të përfshihen krejt natyrshëm në kapitujt e historisë së brezave të ardhshëm. Dhe është pikërisht për këtë arsye dhe për shkak të shpresës së jashtëzakonshme që ajo mund të rrezatojë, që “Republika e Re” simbolizon fasadën më ideale të një republike të vjetër që po merr trajtat çdo ditë e më shumë të një regjimi që mendonim të vdekur. Republika e re po kthehet në guaskën e rilindjes së një regjimi të shkuar. Emërtimi “Republika popullore socialiste e Shqipërisë” përcillte një fasadë propagandistike të ngjashme në të cilin dukej sikur është populli ai që drejton, në një sistem republikan, në një shtet social, me barazi të plotë e prona të kolektivizuara.
E vërteta? Shqipëria drejtohej nga një diktator (pra, jo republikë) dhe një kastë (pra, jo socialiste) që nëpërmjet një partie tejet hermetike (pra, jopopullore) ndërtoi një ndër diktaturat më të egra në botë (pra, jo demokratike). Me risitë “administrativo-politike” që po i përcillen publikut prej 25 qershorit, Republika e Re e Ramës është në dukje gjithçka që do të ëndërronim, por në përmbajtje ajo përfaqëson gjithçka ndaj së cilës druhemi më shumë. Sa më shumë nevojë të ketë për “com” ose dalje mediatike e për t’u takuar “gju më gju” me popullin… aq më e madhe rezulton të jetë nevoja për të fshehur gjëmat e mëdha që i kanosen vendit.
Sa më intensive të jetë propaganda, aq më i madh është dëmi që kërkohet të fshihet. Emigrimi masiv i shqiptarëve apo i mjekëve, zhdukja e investimeve të huaja apo dhe e shtresës së mesme, autoritarizmi apo kapja e sistemit të drejtësisë, fantazma e përfshirjes në një yugo-sferë ose zhdukja e Ministrisë së Integrimit Europian, ligji për importin e plehrave apo ndërtimi i megainceneratorëve… Këto nuk janë më skandale, këto janë realitete të dhimbshme, të shumta, të rënda, makabër e që nevojiten të fshihen një minutë e më parë nën propagandën fasadë të një “Republike të Re”.
Rilindja po metamorfizohet në një Republike të Re, të vjedhur, të genjeshtërt, të kopjuar, joorigjinale, të ligë. Rama po e tjetërson Republikën e Re si një lëvozhgë për të fshehur erën e vjetër autoritariste që po mban qeverisja e tij, erën e një shteti të kidnapuar nga kanabisi, krimi e korrupsioni. Ashtu si nën çdo regjim autoritar, “Republikanizmi” është veç një fasadë që fsheh pushtetin e vërtetë të zotëruar nga lideri suprem dhe që ushtrohet nëpërmjet dhunës, frikës e kërcënimeve të ushtruara nga rrjete informale që zotërojnë monopolin e forcës kriminale.
A nuk është kjo vallë Shqipëria e sotme? A nuk ishte kjo vallë Shqipëria e djeshme? Rikthehemi tek aktualiteti. Transmetimi drejtpërsëdrejti i mbledhjes së grupit parlamentar socialist ishte një fotokopje e pabesueshme e mbledhjeve të politburosë komuniste. Në të dyja rastet përcillet mesazhi se “elitat” po punojnë për të mirën e vendit. Në të dyja rastet tentohet të propagandohet “transparenca” e qeverisjes; se lideri suprem “dëgjon” me vëmendje kritikat e deputetëve të tij; gjithçka bëhet për popullin, ndaj çdo gjë “transmetohet” live… Republika e Re e Ramës nuk ka sekrete për qytetarin, deputetët janë shërbëtorë të tij, lideri mendon vetëm për të mirën e kombit shqiptar.
Të gjitha reformat administrativo-politike të prezantuara prej 25 qershorit nga Rama shkojnë në këtë drejtim. I gjithë artikulimi i tij se qytetari do të ketë një dimension të ri në mandatin e dytë qeverisës ndjek këtë objektiv. Ndaj për ta forcuar dhe më tej demokracinë direkte në “Republikën e Re”, Rama emëron dhe një “Koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen” me qytetarët. Ai është Saimir Tahiri… Çfarë cinizmi i tmerrshëm…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



