E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rivali i Vuçiç: Java e parë në qeveri, do firmos njohjen e Kosovës!
Lajme

Rivali i Vuçiç: Java e parë në qeveri, do firmos njohjen e Kosovës!

Lideri i Partisë Republikane në Serbi, Nikola Sanduloviç, ka bërë një deklaratë të fortë publike në mbështetje të pavarësisë së Kosova, duke theksuar se njohja e saj do të ishte vendimi i tij i parë nëse do të merrte pushtetin në Beograd.

Sanduloviç deklaroi se njohja e shtetit të Kosovës do të firmosej që në javën e parë të qeverisjes së tij, si pjesë e një politike të re paqeje dhe pajtimi në rajon.

Ai theksoi se synimi i tij do të ishte hapja e një epoke të re bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, duke propozuar edhe shkëmbimin e të gjithë kriminelëve të luftës pa përjashtime dhe heqjen e kufijve shtetërorë mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë.

“Duhet të ulemi, të bisedojmë, të groposim shpatat e luftës dhe të gjejmë mënyrën se si popujt tanë të jetojnë në liri dhe paqe”, u shpreh ai, duke e cilësuar njohjen e Kosovës si hap të domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë në Ballkan.

Sanduloviç komentoi edhe situatën e sigurisë në rajon, duke përmendur emrin e Milan Radojçiç dhe qëndrimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Sipas tij, fakti që Radojçiç lëviz lirshëm në Serbi dhe retorika politike ndaj aleancave rajonale rrit rrezikun për një përshkallëzim të ri të tensioneve në veri të Kosovës.

Ai paralajmëroi gjatë një lidhjeje direkte me emisionin “Off the Record”, se rajoni mund të përballet me një tjetër skenar destabilizues, ndërsa i bëri thirrje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërhyjnë për të mbështetur një politikë të re paqeje dhe dialogu.

Sanduloviç u bë i njohur për opinionin publik shqiptar pas një vizite simbolike në Kosovë, ku vendosi lule mbi varrin e familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, një veprim që shkaktoi reagime të forta politike në Serbi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.