Ronaldo feston 41-vjetorin e lindjes, një legjendë e gjallë e futbollit
Cristiano Ronaldo mbush sot 41 vjeç dhe përveç karrierës së jashtëzakonshme në futboll, feston edhe një sukses të madh financiar që e ka shndërruar në një nga sportistët më të pasur në histori.
Sipas “Forbes”, të ardhurat vjetore të portugezit arrijnë rreth 260 milionë euro. Nga këto, 200 milionë euro vijnë nga kontrata me klubin saudit Al Nassr, ndërsa rreth 60 milionë euro sigurohen nga sponsorizimet dhe marrëveshjet reklamuese me markat më të mëdha në botë.
Përtej fushës së blertë, Ronaldo mbetet një fenomen global edhe në rrjetet sociale. Ai është një nga personazhet më të ndjekur në botë, me mbi 665 milionë ndjekës në Instagram. Sipas Hooper HQ, çdo postim i tij në këtë platformë mund të gjenerojë rreth 3.5 milionë euro.
Pasuria e tij personale është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Nga rreth 500 milionë euro në vitin 2022, ajo ka arritur në afro 1.2 miliardë euro në vitin 2024, sipas vlerësimeve të “Forbes”. Ronaldo konsiderohet gjithashtu një ndër atletët më të pasur në histori, me një pasuri totale të vlerësuar nga Sportico mes 1.92 dhe 2.23 miliardë dollarëve. Në këtë renditje ai paraprihet vetëm nga Michael Jordan dhe Tiger Woods.
Ylli portugez njihet edhe për pasionin ndaj supermakinave luksoze. Në koleksionin e tij përfshihen modele të rralla dhe shumë të shtrenjta, si Ferrari prej 3 milionë dollarësh, Bugatti Chiron prej 2.5 milionë dollarësh, Bugatti Veyron prej 1.6 milionë dollarësh dhe Ferrari F12 TDF prej 1 milion dollarësh.
Dominimi i Ronaldos nuk kufizohet vetëm në futboll. Ai është shndërruar në një ikonë globale, një markë biznesi dhe një nga figurat më me ndikim në sport dhe showbiz, duke dëshmuar se suksesi i tij shkon përtej çdo trofeu në fushë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



