Rrahja e mjekut, reagojnë kolegët

Ne s`na godet vetëm individi, po edhe shteti
Këshilli Rajonal i Urdhrit të Mjekut dhe Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë në Shkodër e kanë quajtur të paprecedentë faktin se personat e denoncuar për dhunë ndaj mjekëve nuk janë dënuar. Ata kërkuan angazhimin e organeve ligjëzbatuese që të vënë para përgjegjësisë personat që ushtrojnë dhunë ndaj stafit mjekësor. Në lidhje me dhunën ndaj mjekut kirurg Besmir Grizhja ka reaguar Këshilli Rajonal i Urdhrit të Mjekut. Kryetarja e këtij këshilli, Nevila Tabaku, e ka quajtur të papranueshëm faktin se në shumë raste personat e denoncuar për dhunë ndaj mjekëve nuk janë dënuar.
“Nuk kemi parë asnjë rast që dhunuesit të ndëshkohen. Mjekët dhunohen në detyre. I bëj thirrje edhe qytetarëve që për çdo problematikë të tyren lidhur me mjekët gjatë ushtrimit të detyrës tu drejtohen institucioneve përkatëse, një prej të cilëve është dhe urdhrit të mjekut”- ka thënë Tabaku. Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë përmes kryetarit të saj Paolo Kaceri e quajti të paprecedentë heshtjen e institucioneve ndaj dhunës së ushtruar tek mjekët. “Po ndodhin disa raste të dhunës ndaj mjekëve por askush nuk ndëshkohet. Në këtë rast ka goditur jo vetëm individi por dhe shteti, që nuk merr masa për mbrojtjen e mjekëve dhe për vënien në eficensë të sistemit për të patur të qartë se kur duhet të ndërhyjnë mjekët për të pritur pacientët”, ka theksuar Kaceri. Edhe Spitali Rajonal i Shkodrës, përmes një deklarate për mediat, ka dënuar dhunën ndaj mjekut kirurg Besmir Grizhja.
Drejtori i spitalit Përparim Çela kërkoi mbështetjen e policisë, ndërsa tha se është e domosdoshme që në spital të ketë prani të forcave policore në mënyrë të vazhdueshme. Ai kërkoi dënimin e autorit të dhunës ndaj mjekut. Drejtoria e Spitalit Rajonal të Shkodrës ka shprehur indinjatën për dhunën e përsëritur ndaj stafit mjekësor. Duke iu referuar rastit të dhunës ndaj mjekut Besmir Gizhja, drejtori i spitalit Përparim Çela kërkoi që organet kompetente të dënojnë autorin. Ndërkohë Çela kërkoi mbështetjen e Policisë së Shtetit gjatë punës së mjekëve. Për shkak të dhunës së përsëritur, ai tha se u është premtuar se Spitali Rajonal i Shkodrës do të mbulohet me shërbim policor gjatë 24 orëve. Dy ditë më parë mjeku kirurg Besmir Grizhja u godit për shkak të detyrës në ambientet e jashtme të spitalit. Ai është goditur nga bashkëshorti i një pacienteje, që ishte kuruar nga mjeku Grizhja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



