Rrëfimi përlotës i nënës së 17-vjeçares së dhunuar në Fier: Dua drejtësi
“Kam një muaj nuk më zë gjumi… goca ime më thërret ‘o ma’ dhe unë e shoh kur e dhunojnë”
E tronditur thellë dhe mes lotësh, nëna e 17-vjeçares që u dhunua barbarisht nga tre vajza në Fier ka ndarë rrëfimin e saj prekës, duke përshkruar momentet e vështira që ka përjetuar familja dhe sidomos e bija, e cila vijon të jetë në gjendje të rënduar emocionale.
Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur”, ajo tregon se si e kuptoi ngjarjen dhe përpjekjet për të marrë të vërtetën nga vajza e saj, e cila fillimisht kishte zgjedhur të heshtte.
“Kishte shenja në fytyrë, sy të nxirë. Kokën çfarë t’i shikojë, flokë të shkulur, shenja e në trup. U mundova t’i zbuloja diçka, e shihja të shqetësuar, por më kot. U mundova t’i nxirrja diçka, por nuk tregonte. Pastaj mësova për videon në rrjetet sociale. Pastaj më tregoi se çfarë kishte ndodhur. I thashë të çoj në kurs, por më tha ja çfarë më ndodhi, “kështu ndodhi o ma” më tha. I thashë mos i kë bërë gjë gocave, jo më tha mami, nuk i bëra asgjë. Atë ditë që kishte dalë nga kursi i kishin dalë para. Po pse i thashë moj mami, ajo nisi të qante, i nisën të dridhurat, po qante”, tregon nëna mes ngashërimave.
Pas zbulimit të ngjarjes, ajo vendosi të denoncojë rastin në polici, por sipas saj, procesi nuk pati reagimin e menjëhershëm që pritej, ndërsa vajza u përball me frikë dhe shqetësime të forta psikologjike.
“Shkuam te Policia, bëmë denoncim në Komisariat, shkuam bashkë, e çuan edhe te shtëpia ku ndodhi ngjarja. Pritëm një ditë, dy, tre, katër, pas katër ditësh çupa u sëmur. O mami do ta nxjerrin më tha, prita por asnjë kontakt. Vajta në polici, u tregova videon, nuk më pranonte njeri. I ruajta videot në telefon, por kur pashë videon ashtu, nuk më mbante vendi, mbase edhe ato nënat e vajzave nuk dinin gjë, por çdokush ta kthejë thikën nga ana e tij e të mendojë. Unë jam në punë deri në orën 4, nëse vajza është e sëmurë unë do kujdesem ta shëroj. Vajza është e sjellshme, e urtë, nuk ngacmon njeri”, rrëfen ajo.
Nëna shpreh frikën se vajza e saj mund të ketë qenë nën presion apo kërcënim edhe përpara ngjarjes, ndërsa thekson se reagimi i institucioneve erdhi vetëm pas publikimit të videos së dhunës.
“Ku ta di unë se vajza nuk ka pasur stres dhe presion nga më përpara, nga ta di unë? E çova për vizitë, doktori më tha se nuk ka asgjë. Kishim frikë, se mos vjen dikush, shikonim. Vajta edhe në polici, u bë një muaj, çfarë u bë me rastin, më kanë dhunuar vajzën gocat, janë zënë gocat i thashë. Unë kërkoj të drejtën e fëmijës tim”, shprehet ajo.
Publikimi i videos ka qenë goditja më e fortë për të, pasi pamjet e dhunës dhe thirrjet për ndihmë të vajzës e kanë lënë pa gjumë për javë të tëra.
“Kam një muaj nuk më zë gjumi, kam atë videon e shoh dhe s’më zë vendi, goca ime po dhunohet, goca më kërkon ndihmë e thotë “o ma” dhe e shoh kur e dhunojnë vajzën time dhe unë jam këtu. Vajta e në Polici, vajta e në Prokurori. Kam tre vajza. I thashë vajzës do iki të gjej zgjidhje. Ku po shkon o mami më tha, do iki i thashë nuk duroj dot, të gjej zgjidhje. Nuk duroj dot kështu të shoh vajzën time që dhunohet e thërret “o ma”. Vajza ime nuk ngacmonte njeri, shikonte punën e saj”, përfundon ajo.
Rasti ka shkaktuar reagim të gjerë publik, ndërsa familja kërkon drejtësi dhe masa konkrete ndaj autorëve të dhunës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



