E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rriten pagat për mjekët, arsimtarët e ushtarakët, ja sa bëhet përfitimi
Lajme

Rriten pagat për mjekët, arsimtarët e ushtarakët, ja sa bëhet përfitimi

Duke nisur nga ky muaj, mjekët, arsimtarët dhe ushtarakët bashkë me pagën mujore do të tërheqin edhe shtesën me 7 për qind.

Ashtu siç ishte planifikuar në buxhetin e këtij viti, rritja do të nisë të aplikohet prej datës 1 prill dhe në total janë 65 mijë punonjës buxhetorë që përfitojnë, nga të cilët 36 mijë janë mësues, 18 416 profesionistë shëndetësie dhe 6800 ushtarakë.

“Sikurse është bërë e ditur gjatë procesit të miratimit të buxhetit 2019, punonjës të disa sektorëve të rëndësishëm do të përfitojnë rritje të qenësishme të nivelit të pagave të tyre. Kjo rritje do të aplikohet, duke filluar nga data 1 prill 2019.

mjek12

Nga kjo politikë do të përfitojnë: 36 mijë mësues të arsimit parashkollor, arsimit bazë, arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe atij profesional, 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë dhe staf shëndetësor dhe 6,800 ushtarakë, të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore në masën 7 %”, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale ministrja e Financave, Anila Denaj. Sipas kreut të Financave, një tjetër kategori janë policët e burgjet si edhe përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike.

Për këta të fundit shtesa varion nga 7 deri në 20 për qind. “Janë 3,560 punonjës të sistemit penitenciar (Policia e Burgjeve), të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore me 7%, si edhe 308 punonjës të përfaqësive diplomatike jashtë vendit, të cilët përfitojnë një rritje të diferencuar të pagës mujore që shkon nga 7-20%”.

PËRFITIMI

Por sa do të jetë përfitimi në terma konkretë për secilën kategori? Konkretisht, një mjek në spital, i cili aktualisht përfiton rreth 83 000 lekë, me shtesën që do të nisë të aplikohet pas 1 prillit, do të marrë 88.800 lekë, pra, rreth 5800 lekë më shumë. Ndërsa një infermier më pagë mesatare 45 000 lekë do të marrë pas aplikimit të shtesës rreth 480 000 lekë. Për arsimtarët, paga nga 73 000 lekë, që është aktualisht, do të bëhet 76 000 lekë, ndërsa për drejtorët rritja do të jetë me 4 000 lekë, nga 83 000 do të përfitojnë rreth 87 000 lekë çdo muaj.

Sa u takon pagave në sektorin e mbrojtjes, rritja do të jetë sipas gradave. Kështu, një kapter me pagë 58 600, duke nisur nga ky muaj do të marrë 4000 mijë lekë më tepër, pra, në total 62 600 lekë. Ndërsa një rreshter nuk do të marrë më 53 600 lekë, por 57 350 lekë. FONDI Sa i takon fondit, janë planifikuar 3 miliardë lekë ose rreth 30 milionë dollarë për të përballuar këtë rritje.

“Në total, parashikohet që të përfitojnë mbi 65 mijë punonjës buxhetorë, me një kosto vjetore në buxhetin e shtetit prej 3 miliardë lekësh”, mbyll postimin ministrja, duke shprehur angazhimin e qeverisë për ta çuar përpara politikën e rritjes së pagave për administratën publike. Ky reagim erdhi pas akuzave të Partisë Demokratike se qeveria nuk po mbante premtimin për rritjen e pagave të parashikuar për këtë muaj

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.