Rritja e çmimeve tek ushqimet me ritme dyshifrore, Rama mburret: Nuk kemi rritur energjinë, inflacioni më i ulëti në rajon
Kriza e çmimeve po bën kërdinë në vend.
Megjithatë kjo nuk e pengon kryeministrin Edi Rama që të mos flasë me përulësi, por të krenohet në Kuvend.
Rama tha se Shqipëria është vendi me inflacionin më të ulët në rajon dhe se qeveria e ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme krizën energjetike duke mos rritur çmimet.
“Duke qenë se ju flisni me shifra, do isha shumë mirënjohës nëse do të më orientoni se ku i keni gjetur shifrat e INSTAT, se unë i kam përpara, dhe sipas INSTAT, inflacioni në Shqipëri është rritur 6.2%, në Serbi 9.6%, në Maqedoninë e Veriut 10.6% dhe në Kosovë 11.2%.
Dhe a ka vallë ndonjë arsye përse Shqipëria të jetë sa gjysma e rajonit, kur vjen puna te rritja e inflacionit? Me siguri ka arsye, mbase ka më shumë arsye sesa ato që duke u përpjekur të mësoj u mund të them këtu. Por së paku janë dy të rëndësishme.
E para fakti që vetëm në Shqipëri si në askund tjetër në rajon dhe si askund tjetër në Europë çmimi i energjisë mbahet aty ku ishte para se të shfaqeshin simptomat e krizës, ndërsa kudo tjetër energjia po bën reprezalje mbi ekonominë. Nafta është patjetër komponent, por energjia për të cilën vazhdojmë paguajmë nga buxheti i shtetit është arsyeja pse kemi këtë normë inflacioni.
Dhe e dyta, rritja e prodhimit vendas, se pse nuk e kemi importuar të gjithë masën e produkteve”, tha Rama.
Teksa çmimi i naftës në vend ka shkuar 258 lekë për litër, vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë pranoi në Kuvend se se Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburantit në rajon.
“Është e vërtetë që kemi një çmim karburanti më të lartë se sa të tjerët në rajon. Kjo është e vërtetë! Por ndryshe nga të tjerët në rajon, ne kemi taksat më të ulëta. Sepse ndryshe nga rajoni, ne biznesit të vogël s’i marrim asnjë lekë”, tha Rama.
“Ne u japim para të gjithë shqiptarëve që lëvizin me transport publik, ndryshe nga sa bën rajoni. Barrën e krizës do ta shpërndajmë që t’u japim mundësi atyre që prodhojnë e eksportojnë, ta ndjejnë më pak; ata që shkojnë në punë me autobus, mos ta ndjejnë fare”.
Më tej, ai foli për Bordin e Transparencës, duke e pranuar se është bord komunist.
“Në kushtet normale është bord komunist. Por në kushte anormale, ai bord është një ndihmë. Ai bord ka një meritë për këtë fazë: merita është se vendos një tavan mbi të cilin të tjerët nuk mund të shkojnë. Pastaj llogaritë me laps e letër jashtë realitetit mund t’i bëjë kush të dojë,” tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



